17 Shkurt 2021

Avokatja E Popullit Promovon Shtimin E Bashkëpunimit Me Kqz Dhe Paraqet Disa Propozime Mbi Garantimin E Të Drejtës Së Votës


AVOKATJA E POPULLIT PROMOVON SHTIMIN E BASHKËPUNIMIT ME KQZ DHE PARAQET DISA PROPOZIME MBI GARANTIMIN E TË DREJTËS SË VOTËS

Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 25 prillit po afrohen, Avokati i Popullit mbetet i interesuar për një mori çështjesh që lidhen me rritjen e standardeve të respektimit të të drejtave të njeriut në këto zgjedhje.

Për këtë arsye, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca zhvilloi ditën e sotme një takim me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirian Celibashi.

Institucioni i Avokatit të Popullit i kushton rëndësi të madhe gjuhës publike, andaj, një nga temat për të cilat Avokatja Ballanca diskutoi me kreun e KQZ ishte pikërisht eksplorimi i mjeteve për luftimin e gjuhës së urrejtjes në zgjedhje.

Një nga propozimet e Avokatit të Popullit ishte hartimi i një manuali ose kodi etik që do të përcaktonte qartë limitet që përfaqësuesit politikë nuk duhet t’i shkelin në diskursin e tyre publik gjatë fushatës.

Avokatja e Popullit bisedoi me kreun e KQZ edhe për çështje si shmangia e përfshirjes së të miturve në fushatë si dhe rritja e përshtatshmërisë së infrastrukturës zgjedhore, si qendrat e votimit apo fletët e votimit, për personat me aftësi ndryshe.

Nga ana tjetër, Avokatja e Popullit kërkoi nga KQZ edhe garantimin e të drejtës së votës për një sërë kategorish qytetarësh, ku përfshihen: personat në vendet e privimit të lirisë, personat e prekur apo të karantinuar si pasojë e COVID-19 apo e drejta e votës së emigrantëve.

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe frytdhënëse dhe të dy titullarët e institucioneve premtuan vazhdimin e bashkëpunimit gjatë periudhës në vijim.