12 Shkurt 2021

Avokati I Popullit Të Shqipërisë Merr Statusin “A” Nga Okb Si Institucioni Më I Rëndësishëm I Mbrojtjes Së Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATI I POPULLIT TË SHQIPËRISË MERR STATUSIN “A” NGA OKB SI INSTITUCIONI MË I RËNDËSISHËM I MBROJTJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Institucioni i Avokatit të Popullit të Shqipërisë është akredituar me Statusin “A” nga Aleanca Globale e të Drejtave të Njeriut (GANHRI) e cila vlerëson dhe përcakton për llogari të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, cilësinë, standardet, peshën dhe rëndësinë e të gjitha institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut.

Kjo është një arritje shumë e rëndësishme për Avokatin e Popullit dhe për Shqipërinë, pasi institucioni më i rëndësishëm i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, iu nënshtrua një analize të hollësishme të veprimtarisë së punës së vet dhe përkundër vështirësive me të cilat është hasur, pamjaftueshmërisë së buxheteve dhe kapaciteteve njerëzore, arriti të bindë ekipin certifikues të OKB, se e meriton mbajtjen e statusit “A”.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Rezolutën 48/134, datë 20.12.1993, ku parashikohen standardet që shtetet anëtare duhet të zbatojnë për të garantuar një sistem efektiv të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut. Kjo rezolutë e njohur gjerësisht me emërtimin Parimet e Parisit është dokumenti ku parashikohen standardet për funksionimin e Institucioneve Kombëtare për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Me qëllim që Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut të konceptohen dhe të veprojnë në përputhje me këto parime dhe të veprojnë si institucione udhërrëfyes në promovimin dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ato i nënshtrohen procesit të akreditimit, i cili kryhet çdo katër vjet. Ky proces zhvillohet prej Aleancës Globale të Të Drejtave të Njeriut (Aliance of Human Rights Institutions- GANHRI), që ushtron aktivitetin e saj si një organizatë e pavarur me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Akreditimi përmban disa nivele, apo statuse, ku statusi “A” përcaktohet si më i larti në hierarkinë e rëndësisë së institucioneve kombëtare të mbrotjes së të drejtave të njeriut.

Institucioni i Avokatit të Popullit është akredituar me statusin “A” për herë të parë në vitin 2004 dhe është riakredituar në vitet 2008 dhe 2015 me të njëjtin status. Nga muaji gusht 2019 Institucioni është njoftuar se është në proces akreditimi, proces i cili pritej të mbyllej në muajin mars 2020, por për shkak të pandemisë është shtyrë për në muajin dhjetor 2020 në përputhje me procedurat përkatëse të institucioneve ndërkombëtare akredituese.

Pas plotësimit të informacionit të kërkuar, në dhjetor 2020 (përfshirë adresimin e rekomandimeve të lëna në akreditimin paraardhës nga ana e Nënkomitetit për Akreditimin, mblidhet seanca përkatëse e nënkomitetit e cila merr vendimin final dhe bën publikimet përkatëse.

Në Raportin dhe Rekomandimet e Sesionit Virtual të Nën-Komisionit për Akreditimin (SCA) 7-18 Dhjetor 2020, fq 15-16, pika 2.1, Institucioni i Avokatit të Popullit, SCA rekomandoi që Institucioni i Avokatit të Popullit të riakreditohet me statusin A.