25 Janar 2021

Avokati I Popullit Mbështet Kërkesën E Shoqatave Të Ish-Të Përndjekurve, Për Parcelën Kombëtare


AVOKATI I POPULLIT MBËSHTET KËRKESËN E SHOQATAVE TË ISH-TË PËRNDJEKURVE, PËR PARCELËN KOMBËTARE

Avokati i Popullit, në vijim të kërkesave të adresuara nga një shoqatë përfaqësuese e të burgosurve dhe përndjekurve politikë, ka përpiluar një rekomandim drejtuar autoriteteve zyrtare, me anë të të cilit kërkon krijimin nga ana e tyre të një “parcele kombëtare”.

Në këtë parcelë, vijon rekomandimi, planifikohen të kryhen përkujtimet e personave të zhdukur, ose të eleminuar gjatë regjimit totalitar në Shqipëri, për arsye politike.

Avokati i Popullit ka vendosur të mbështesë kërkesën e “Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, për krijimin e një “Parcele Kombëtare” me qëllim, siç thotë kërkesa: “përkujtimin e shqiptarëve të pushkatuar dhe zhdukur për arsye politike, me apo pa gjyq, gjatë sistemit komunist”.

Institucioni i Avokatit të Popullit çmon se e drejta ndërkombëtare humanitare dhe legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut në këtë fushë, përpiqen të parandalojnë humbjen e njerëzve dhe të sqarojnë fatin dhe vendndodhjen e atyre që zhduken, duke ruajtur të drejtën e të afërmve të tyre “për të njohur”.

Kur zbatojnë të drejtën ndërkombëtare në nivelin e brendshëm, autoritetet kombëtare duhet të planifikojnë me kujdes para se të përfshihen në ndonjë politikë ose reformë ligjore, që do të adresojnë çështjen e personave të zhdukur dhe përgjigjen ndaj nevojave të familjeve të tyre.

Rekomandimi i është dërguar institucioneve kryesore si Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Kulturës.