22 Janar 2021

Avokati I Popullit Shpreh Shqetësim Për Mbytjen E Anijes Me Refugjatë Në Mesdhe


AVOKATI I POPULLIT SHPREH SHQETËSIM PËR MBYTJEN E ANIJES ME REFUGJATË NË MESDHE

Avokati i Popullit ka mësuar me trishtim lajmin e publikuar nga media ndërkombëtare në lidhje me mbytjen e një anijeje që mbartte refugjatë në Detin Mesdhe, pranë brigjeve të Libisë ditët e fundit.

Sipas raporteve, rreth 43 persona mund të kenë humbur jetën në këtë ngjarje tragjike e cila për shqiptarët dhe Shqipërinë mbart edhe një konotacion kujtese nga një e kaluar jo fort e largët.

Avokati i Popullit të Shqipërisë, në cilësinë edhe të zv.Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, shpreh brengosje e pikëllim të thellë për këtë tragjedi e cila dëshmon edhe një herë plagën e rëndë të refugjatëve në Detin Mesdhe, në një situatë e cila ende nuk po gjen zgjidhje prej vitesh.

Avokati i Popullit të Shqipërisë është i bindur Perëndimi është në gjendje dhe i ka të gjitha mundësitë fillimisht për të kuptuar rrënjët e kësaj drame që zhvillohet përditë në brigjet e deteve tona, e së dyti për ta kuruar atë me bashkëpunim, solidaritet e bujari.