10 Dhjetor 2020

Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut


AVOKATI I POPULLIT SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT

Avokati i Popullit, si institucioni më i madh e më i rëndësishëm në vendin tonë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, bën thirrje që ato të mos konsiderohen si elemente luksi, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.

Të drejtat e njeriut janë rezultat i përpjekjeve shumëshekullore të shoqërisë sonë dhe ekzistenca e tyre është provë e progresit social dhe njerëzor.

Anulimi e vënia në diskutim e këtyre të drejtave që përfshijnë të drejtën e jetës, të fjalës së lirë, të drejtën për arsim, shëndetësi e shumë të drejta të tjera të fituara me mund e përpjekje të mëdha, janë thjesht shprehje të regresit e së kaluarës që i bën rezistencë së tashmes e së ardhmes.

Avokati i Popullit i nxit qytetarët që t'i njohin e t'i mbrojnë të drejtat e tyre e po ashtu fton autoritetet që edhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, të vetëpërmbahen ndaj kufizimit të të drejtave të njeriut e të ushtrojnë proporcionalitet në rastet kur e mira e përgjithshme e dikton gjithsesi kufizimin e tyre.