16 Nëntor 2020

Avokati I Popullit Merr Pjese Ne Konsultimin Publik Mbi Barazine Gjinore Dhe Te Drejtat E Njeriut Ne Kushtet E Pandemise


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESE NE KONSULTIMIN PUBLIK MBI BARAZINE GJINORE DHE TE DREJTAT E NJERIUT NE KUSHTET E PANDEMISE

Institucioni i Avokatit të Popullit, i përfaqësuar nga titullarja Avokatja e Popullit Erinda Ballanca dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm, iu bashkua ditën e sotme një serie diskutimesh publike në lidhje me tema të të drejtave të njeriut në kuadrin e kryesimit të OSBE nga presidenca shqiptare.

Një grup organizatash të shoqërisë civile, përkatësisht Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), CIVIL RIGHTS DEFENDERS (CRD), Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies (ISP), Birn Albania, Qendra per Nisma Ligjore Qytetare/ Center for Legal Civic Initiatives (QNLQ), TLAS - Shërbimi ligjor falas Tiranë(TLAS) kanë filluar zbatimin e nismës “Vlerësimi i të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës gjatë kryesimit të shtetit shqiptar në OSBE”.

Ky grupim, nën kujdesin e rrjetit Civic Solidarity Platform ka analizuar me objektivitet dhe profesionalizëm performancën e shtetit shqiptar teksa kryeson OSBE-në, sa i takon gjashtë fushave prioritare të respektimit të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

E hëna shënoi sesionin e parë të konsultimeve publike, me trajtimin e draft raporteve mbi “Barazinë Gjinore”, punuar nga ekspertë të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare dhe “Të drejtat e Njeriut gjatë Covid 19” të punuar nga ekspertë të Civil Rights Defenders dhe Shërbimit Ligjor Falas (TLAS).

Rreth 45 pjesëmarrës në takimin konsultativ on line, ishin përfaqësues të shoqërisë civile, jetës akademike, organizatave ndërkombëtare, institucioneve në nivel legjislativ dhe ekzekutiv, institucioneve qendrore dhe atyre të pavarura si dhe ambasadave të akredituara në vendin tonë. Konsultimi nisi me draft raportin për “Barazinë Gjinore”, ku u vlerësuan përmirësimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen ndaj dhunës në familje, sikurse përmirësimi i strukturave për mbrojtjen nga dhuna në familje në nivel qendror dhe vendor. U vu në dukje nevoja për të forcuar efektivitetin në zbatim të kuadrit ligjor të përmirësuar, ndërsa sfidë për disa bashki, mbetet ofrimi i shërbimeve psiko-ligjore dhe atyre on line për viktimat e dhunës në familje. U rekomandua gjithashtu, fuqizimi i makinerisë qendrore, ngritja e qendrave të reja të ndihmës së juridike parësore.

Sa i përket draft raportit mbi “Të drejtat e Njeriut gjatë Covid 19”, u theksua se janë vënë re vonesa në dhënien e informacioneve nga institucionet çka është shoqëruar me një numër të lartë ankesash pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Është vënë re edhe shqetësimi për mungesë informacioni për gazetarët. Vëmendje iu kushtua edhe të drejtës së tubimit, ku u rikujtua se Shqipëria derogoi nga disa nene nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, dhe ndalimi i tubimeve vazhdon ende, pavarësisht se ka kaluar gjendja e fatkeqësisë natyrore. Diskutantët nënvizuan se mbrojtja e jetës dhe shëndetit nuk duhet të cënojë thelbin e të drejtave të njeriut si dhe dinjitetin njerëzor, që institucionet publike të jenë transparente, të kryejnë botimin e akteve ligjore dhe të kthejnë përgjigje në kohë reale.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore, vunë theksin në masat e ndërmarra nga shteti në periudhën Covid 19, dhe se kufizimi i disa të drejtave dhe lirive është në përputhje me protokollet dhe sugjerimet e Organizatës Boterore të Shëndetësisë, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve.

Nisma për vlerësimin e performancës së Shqipërisë në 6 fusha, vjen në kuadër të Presidencës Shqiptare në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nën koordinimin e rrjetit ndërkombëtar “Platforma e Solidaritetit Qytetar” dhe me mbështetjen e SIDA, Rrjetit Suedez të OSBE-së dhe Komitetit Hollandez të Helsinkit.