20 Tetor 2020

Avokati I Popullit Raporton Me Shqetësim Ndaj Sjelljes Së Policisë Gjatë Tubimit Të Sotëm Në Tiranë


AVOKATI I POPULLIT RAPORTON ME SHQETËSIM NDAJ SJELLJES SË POLICISË GJATË TUBIMIT TË SOTËM NË TIRANË

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur tubimin e thirrur ditën e sotme nga PDIU.

Qysh rreth orës 10.30-11.00 në afërsi dhe përreth perimetrit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme janë dislokuar forca të shumta të Policisë së Shtetit, të organizuara sipas planit te masave.

Me afrimin e tubuesve është vënë re se forcat e Policisë së Shtetit kanë zbatuar një plan veprimi për ndalimin e zhvillimit të tubimit duke e konsideruar atë të paligjshëm.

Para ndërhyrjes së forcave të Policisë u vu re se protestuesit po i respektonin pjesërisht masat anti-covid. Ata ishin të pajisur pothuajse të gjithë me maska si dhe mbanin distanca të vogla nga njëri-tjetri. Me ndërhyrjen dhe shtyrjet nga ana e forcave të rendit, respektimi i këtyre masave u bë praktikisht i pamundur.

Avokati i Popullit ka konstatuar se gjatë tubimit të ditës së sotme, me justifikimin e masave dhe kufizimeve të diktuara prej pandemisë Covid-19, autoritetet policore kanë shtyrë dhe kufizuar në një sipërfaqe të ngushtë një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish në tubim, duke i ekspozuar ata më tepër ndaj transmetimit të mundshëm të infeksionit e duke bërë kësisoj pikërisht të kundërtën e asaj që pretendonin të arrinin me ndalimin e zhvillimit të tubimit.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka deleguar dy punonjës të tij për monitorimin e tubimit, por ata nuk janë lejuar dhe në disa raste edhe janë shtyrë në mënyrë të dhunshme nga forcat e Policisë duke i penguar në kryerjen e detyrës së tyre kushtetuese.

Avokati i Popullit reagon me shqetësim ndaj kësaj sjelljeje të përsëritur nga ana e Policisë së Shtetit e cila në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjit për Avokatin e Popullit, vazhdon të pengojë punonjësit zyrtarë të këtij institucioni në kryerjen e detyrës së tyre gjatë zhvillimit të tubimeve apo protestave në vend.

Teksa është raportuar për një numër jo te vogel qytetarësh që janë shoqëruar para apo gjatë zhvillimit të tubimit, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë kryer inspektime dhe kanë marrë kontakt me të paktën 7 prej tyre në komisariatet 1 dhe 4 në kryeqytet.

Nga bisedat me të shoqëruarit, nuk kishte nga ana e tyre pretendime për ushtrim dhune apo keqtrajtim në mjediset e shoqërimit apo gjatë shoqërimit.

Megjithatë Avokati i Popullit ngre shqetësimin se autoritetet zyrtare të Policisë se Shtetit vazhdojnë praktikën e refuzimit të njoftimit për zhvillim tubimesh paqësore, duke mohuar të drejtën e qytetarëve të sanksionuar nga neni 11 i KEDNJ. Theksojmë se kufizimi i kësaj të drejte, edhe për shkak të masave të emergjencës shëndetësore duhet të jetë përveçse i bazuar në ligj, edhe proporcional dhe masa më pak represive e mundshme. Heshtja në parim e çdo proteste paqësore nuk duket të jetë në pajtim me kuptimin dhe qëllimin e kufizimeve të vëna në këtë rast.

Edhe pse në kushtet e masave kufizuese për shkak të pandemisë, ndalimi i tubimeve paqësore si dhe qytetarëve që marrin pjesë në to nuk duhet të jetë reagimi primar apo ekskluziv i institucioneve ligjzbatuese.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim administrativ në lidhje me sjelljen e përsëritur të Policisë së Shtetit si në raport me punonjësit e tij, ashtu edhe me qytetarët pjesëmarrës në tubimin paqësor të ditës së sotme.