1 Tetor 2020

Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Të Moshuarve


AVOKATI I POPULLIT SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË TË MOSHUARVE

1 Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, këtë vit përkon me 30 vjetorin e ditës së shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllimin për zhvillimin e një shoqërie për të gjitha moshat.

Duke i vlerësuar të moshuarit për autoritetin, mençurinë, përvojën jetësore, duhet të eliminohet neglizhenca dhe përjashtimi i tyre, si pjesë përbërëse e familjes dhe e komunitetit.

Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kushtuar një vëmendje të posaçme problematikave të moshës së tretë. Kjo në funksion të respektimit të të drejtave të tyre të garantuara nga ligji ynë organik, por edhe në shenjë solidariteti human dhe filozofie jetësore.

Në shprehje të mirënjohjes, respektit, vlerave dhe kontributit të këtij grupi shoqëror, Institucioni ynë ka adresuar nevojat dhe interesat pranë institucioneve shtetërore, në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Në këtë kuadër, Avokati i Popullit nënvizon:

• Shtimi i problemeve me shëndetin, rritja e kostos së përballimit të problemeve shëndetësore, rritja e problemeve që kanë të bëjnë me situatën financiare të të moshuarve, etj, bën që situata e të moshuarve të jetë një problem i mprehtë social.

• Pensionet e pleqërisë janë të pamjaftueshme për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe nuk mbështeten në koston reale të jetesës. Pavarësisht ndërhyrjeve tona institucionale si dhe rekomandimeve për përmirësime ligjore në sistemin e sigurimeve shoqërore, masat e pensioneve mbeten mjaft të ulëta.

• Një shqetësim që lidhet drejtpërsëdrejti me shpërblimin e punës së disa dekadave për të moshuarit është edhe deklarimi i minimumit jetik në Shqipëri.

Shpërthimi pandemisë COVID-19 ka qenë një sfidë e madhe në shumë drejtime për të moshuarit. Ata kanë nevojë për mbështetje, sot më shumë se kurrë, gjatë kësaj periudhe pandemie. Ndaj vëmendja duhet të shkojë tek të moshuarit në familjet tona, tek të moshuarit që jetojnë vetëm, tek të moshuarit, të cilët janë të akomoduar në Institucionet Rezidenciale të Përkujdesit Social.

Shteti dhe vetë shoqëria shqiptare duhet të vazhdojnë të forcojnë mekanizmat socialë dhe ekonomike në mbështjetje të kësaj shtrese të shoqërisë.