Avokatja E Popullit Te Shqiperise Uron Avokatin E Ri Te Popullit Te Kosoves
Me anë të një letre Avokatja e Popullit të Shqipërisë uroi sot për marrjen e detyrës Avokatin e ri të Popullit në Kosovë zotin Naim Qelaj.
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, në letrën e saj shprehu bindjen se përvoja e gjatë dhe kontributi i zotit Qelaj në fushën e së drejtës, do të sjellin një vlerë të shtuar në drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm e të pavarur për mbrojtjen efektive të së drejtave në Republikën e Kosovës.
Si dy shtete që i bashkon kombi, historia, kultura e gjuha, institucionet tona kanë bashkëpunuar gjerësisht, përfshirë së fundmi edhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në Vlorë më 01.11.2019. Institucionet tona kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë, vazhdon letra.
Avokatja Ballanca ka çmuar kontributin e vyer të Avokatit të Popullit që përfundoi mandatin, zotit Hilmi Jashari, duke e konsideruar atë lart si një vlerë e shtuar në marrëdhëniet midis dy institucioneve e më gjerë, nëpërmjet diskutimeve dhe trajtimeve cilësore të çështjeve që lidhen me të drejtat e Njeriut.
Institucioni i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ka qënë dhe do të mbetet vullnetplotë për bashkëpunim të frytshëm ndërinstitucional në të gjithë nivelet, me qëllim përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor në dy vendet tona.