Avokati I Popullit Shënon Ditën Ndërkombëtare Të Demokracisë
Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Avokati i Popullit bën thirrje për rritje të reflektimit në respekt dhe mbrojtje të vlerave të arritura me mundim nga qytetarët tanë.
Demokracia është mbase suksesi më i madh që kanë arritur qytetarët tanë shekullin e fundit. Ajo është një formë organizimi shoqëror e cila garanton më shumë pjesëmarrje, gjithëpërfshirje e respekt për qytetarin nga çdo formë tjetër.
Si një popull i cili ka kaluar në historinë e tij forma brutale e të padrejta qeverisjeje, shqiptarët dinë ta çmojnë demokracinë dhe domosdoshmërinë e saj.
Mirëpo si çdo sukses, edhe demokracia lyp më shumë mund në mirëmbajtjen e saj, sesa në fitoren.
Teksa hijet e zhbërjes së tekstilit demokratik shfaqen kërcënueshëm sot ngado, nën preteksin edhe të kufizimeve të diktuara nga kushtet e jashtëzakonshme, Avokati i Popullit bën thirrje që qytetarët, përfaqësuesit e tyre e mbrojtësit e të drejtave të njeriut ta mbajnë një sy të vëmendshëm në ruajtjen e standardeve të demokracisë e nënprodukteve të saj: drejtësisë sociale, të drejtave të njeriut e barazisë së mundësive.