Avokatja E Popullit Pret Në Takim Ambasadoren E Shteteve Të Bashkuara Të Amerikës Në Tiranë
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca priti sot në zyrën e saj në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.
Takimi erdhi vetëm një ditë pasi Institucioni i Avokatit të Popullit prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë Raportin e tij Vjetor mbi të gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Avokatja e Popullit Ballanca i uroi mirëseardhjen ambasadores Kim dhe e njohu atë me veprimtarinë dhe mandatin kushtetues të institucionit të Avokatit të Popullit.
Gjithashtu Avokatja Ballaca shprehu kënaqësinë e saj për vëmendjen që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë institucionit më të rëndësishëm të të drejtave të njeriut në vendin tonë, si dhe mirënjohjen për mbështetjen që SHBA po i jep Shqipërisë në të gjitha reformat e rëndësishme që po kalon vendi.
Ajo u ndal te nevoja për rritjen e respektimit të të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve shtetërore dhe nënvizoi disa nga gjetjet e Raportit Vjetor.
Ambasadorja Kim shprehu mbështetjen për Institucionin e Avokatit të Popullit në Shqipëri si pjesë e institucioneve demokratike të vendit tonë.