Ambasadorja E Francës Dhe Përfaqësuesja E Këshillit Të Europës Vizitojnë Avokatin E Popullit
Ambasadorja e Francës në vendin tonë, Christina Vasak zhvilloi një vizitë në Institucionin e Avokatit të Popullit, ku u prit nga titullarja e këtij institucioni, Erinda Ballanca.
Pjesëmarrëse në takim ishte edhe Jutta Gutzkow, kryetare e zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri.
Qëllimi i takimit kishte të bënte me forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në kushtet e masave të jashtëzakonshme të imponuara nga pandemia globale e Covid-19.
Avokatja e Popullit shprehu angazhimin e institucionit në rolin e tij kushtetues të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut si dhe vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për Shqipërinë edhe në këtë drejtim.
Duke nënvizuar domosdoshmërinë e sigurisë së punonjësve të administratës shtetërore në vendin e punës gjatë periudhës së pandemisë globale, ambasadorja franceze Vasak i dhuroi institucionit të Avokatit të Popullit një sasi prej 500 maskash mbrojtëse të ofruara nga kompania Marlotex të cilat u pranuan me kënaqësi nga përfaqësuesit tanë.