22 Prill 2020

Avokati I Popullit Inkurajon Shtimin E Përdorimit Të Gjuhës Së Shenjave Në Komunikimet Publike Zyrtare


AVOKATI I POPULLIT INKURAJON SHTIMIN E PËRDORIMIT TË GJUHËS SË SHENJAVE NË KOMUNIKIMET PUBLIKE ZYRTARE

Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të mandatit të tij kushtetues, për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në situatën kritike të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia Covid-19, ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë me një vëmendje të posaçme, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Veçanërisht një vëmendje e posaçme i është kushtuar të drejtave të personave, të cilët kanë probleme me dëgjimin.

Në kohën e një izolimi si ky, të shtrirë në kohë, ku media ka marrë një rol parësor ndërlidhës dhe komunikues të drejtëpërdrejtë ndërmjet publikut dhe institucioneve e organeve përgjegjëse shtetërore për trajtimin e kësaj situate të pazakontë, përçimi i informacionit të kuptueshëm dhe të arritshëm për të gjithë kategotitë e personave, pavarësisht gjendjes dhe statusit të tyre, është një sfidë dhe detyrim përcaktues.

Në ekzistencën dhe ritmin dinamik të zhvillimit të një shoqërie demokratike kemi pranuar se, gjuha e shenjave është gjuha e parë natyrore e personave që nuk dëgjojnë, dhe për këtë arsye ata kanë të drejtë të shprehen me anë të shenjave, pa u detyruar të përdorin gjuhën e folur, si dhe të informohen rregullisht në gjuhën e shenjave, me qëllim që të ndjehen pjesë integrale e shoqërisë.

Ratifikimi i Konventës së OKB-së "Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar", në vitin 2012 nga ana e Shqipërisë, si dhe hyrja në fuqi e ligjit nr.93/2014 "Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar", përbëjnë një bazë te mirë normative e cila në këtë situatë serioze kërkon një angazhim të shtuar institucional, për zbatimin korrekt të saj, në funksion të garantimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Rëndësi jetike për komunitetin e personave që nuk dëgjojnë, të cilët sipas Censusit të vitit 2011 në Shqipëri, rezultojnë se janë 39 mijë persona, ka e drejta për informim për gjithçka ndodh gjatë kësaj pandemie globale, si dhe për masat që janë marrë e po merren për mbrojtjen e shëndetit publik në vendin tonë dhe më gjerë. Çdo këshillë profesionale mjekësore, por edhe çdo komunikim tjetër zyrtar për publikun, merr kuptim kur bëhet i aksesueshëm dhe i kuptueshëm për të gjithë.

Komunikimi edhe me anë të gjuhës së shenjave, që po realizohet gjatë përditësimeve zyrtare ditore nga  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, mbi ecurinë e pandemisë së Covid-19 dhe të masave të marra për trajtimin e saj në vendin tonë, është një zhvillim pozitiv që duhet përgëzuar dhe mbështetur, pasi po shërben të garantohet qasja në institucionet shtetërore përgjegjëse edhe për kategorinë e njerëzve që nuk dëgjojnë.

Komunikimi i qartë dhe në kohë reale me këtë komunitet, duke i mbajtur të informuar rreth situatës në të cilën jemi, mundëson që ata të mos ndihen të diskriminuar por të barabartë midis të barabartëve. Me të drejtë kjo cështe ka marrë vemendje e është trajtuar në disa deklarata të Komisioneres së Lartë të Kombeve te Bashkuara Znj. Bachelet, dhe Komisioneres për të Drejtat e Njeriut të Keshillit të Evropës Znj. Mijatovic.

Kjo formë komunikimi sugjerohet të ndiqet nga të gjithë operatorët audiovizivë me licensë kombëtare, të cilët duhet të transmetojnë tashmë programe të ndryshme në bazë të gjuhës së shenjave.

Media duhet të jetë në shërbim të të gjithëve, pa dallim.

Nisur nga praktika e mirë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet kësaj deklarate, Institucioni i Avokatit të Popullit, i bën thirrje  të gjitha autoriteteve publike që të marrin masat për të mundësuar komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit që nuk dëgjojnë, përmes gjuhës së shenjave.

Duke marrë në kohë masat e duhura, do të mundemi t'u gjendemi me afër qytetarëve dhe nevojave të tyre specifike në kohën e fatkeqësisë natyrore, dhe nga ana tjetër, do të kontribuojmë realisht në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.