10 Prill 2020

Avokati I Popullit Kërkon Kujdes Të Veçantë Ndaj Sektorit Të Shoqërisë Civile Në Këtë Periudhë Të Vështirë


AVOKATI I POPULLIT KËRKON KUJDES TË VEÇANTË NDAJ SEKTORIT TË SHOQËRISË CIVILE NË KËTË PERIUDHË TË VËSHTIRË

Nuk ka indikator më të saktë të shëndetit të demokracisë së një vendi sesa ekzistenca dhe larmia e organizatave të shoqërisē civile.

Në këtë situatë të jashtëzakonshme ku në pikëpyetje është shëndeti i qytetarëve tanë, është me rëndësi që të tregohet kujdes për të mos sakrifikuar apo hequr dorë as nga vëmendja për shëndetin e demokracisë.

Avokati i Popullit është duke monitoruar Planin e Masave për të përballuar situatën e krijuar nga Covid-19.

Institucioni i vlerëson masat e marra për grupet e ndryshme që janë më vulnerabël në shoqërinë tonë, si të moshuarit, fëmijët, gratë e dhunuara, personat me aftësi të kufizuara, Romët e Egjiptianët, etj.

Shumë nga shërbimet që këto grupe vulnerabël kanë nevojë në përditshmërinë e tyre, ofrohen nga Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC), të cilat me eksperiencën dhe ekspertizën që kanë bëjnë të mundur mbështetjen e personave më të paforizuar në shoqëri me shërbime thelbësore për jetën e tyre.

Në kushtet e jashtëzakonshme të krijuar nga Covid-19, shumë prej këtyre shërbimeve janë përshtatur dhe orientuar drejt shërbimeve këshilluese online, përmes thirrjeve telefonike, ofrimit të trajnimeve përmes platformave online, etj.
Sektori i shoqërisë civile i cili ka të punësuar rreth 10.000 persona, në kushtet e situatës së karantinës e kanë të vështirë që të vazhdojnë punën e tyre dhe për rrjedhojë të mos kenë mundësi që të paguhen, sidomos evidente kjo situatë për ato organizata që mbështeten nga biznesi dhe që në këto kushte i kanë tërhequr donacionet e tyre apo shtyrë për një periudhë tjetër.

Institucioni i Avokatit të Popullit inkurajon pushtetin vendor që të përfshijë në veprimtarinë e vet për ofrimin e shërbimeve për grupe të caktuara në komunitet, përfaqësues nga sektori i shoqërisë civile, të cilët kanë përvojën dhe ekspertizën e nevojshme për komunikimin me këto grupe dhe në situata të vështira.

Gjithashtu Avokati i Popullit nxit përfaqësuesit e shoqërisë civile të vijojnë aktivitetin e tyre në mbështetje të grupeve më të rrezikuara, duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme për të kaluar me sa më pak pasoja këtë situatë të jashtëzakonshme që po kalon vendi.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me organizatat e shoqërisë civile në kuadër të sigurimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të monitorimit të zbatimit në praktikë të tyre, përfshirë edhe të drejtat e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.