Avokati I Popullit Kërkon Të Mos Cënohet Në Mënyrë Joproporcionale E Drejta E Shtetasve Shqiptarë Që Kanë Mbetur Të Bllokuar Në Kufijtë Tokësorë Për Të Hyrë Në Atdhe

Institucioni i Avokatit të Popullit është duke monitoruar me shumë vëmendje masat e marra nga autoritetet shqiptare për të mundësuar riatdhesimin e një numri shtetasish shqiptarë të cilët si pasojë e mbylljes së kufijve kanë mbetur jashtë vendit, apo edhe kushtet e lëvizjes së tyre, pasi hyjnë në kufijtë shqiptarë, kryesisht tokësorë.
- Institucioni i Avokatit të Popullit ka analizuar aktet normative të Këshillit të Ministrave lidhur me masat administrative të marra gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 si edhe ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme qendrimin që kanë mbajtur autoritetet shqiptare ndaj shtetasve që kanë kërkuar të hyjë në territor përmes kufijve tokësorë;
- Përmes një analize të lirisë së hyrjes në territorin shqiptar të shtetasve shqiptarë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe aktet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit i është drejtuar Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Drejtorisë së Përgjithshme pë Policisë së Shtetit me rekomandim;
- Rekomandimi kërkon marrjen e masave të menjëhershme, për të mos e cënuar në mënyrë joproporciale të drejtën për hyrë në territor të shtetasve shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar ditët e fundit në kufirin tokësor me shtetin grek dhe shtetin malazez, për shkak të masave të veçanta administrative të marra gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
- Në përfundim, Avokati i Popullit përshëndet përpjekjet e deritanishme të autoriteteve për t’iu ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë të mbetur jashtë vendit, por bën thirrje që këto përpjekje të vijojnë edhe në të ardhmen dhe cdo kufizim i lirive të qytetareve të jetë i bazuar në ligj dhe në përpjesëtim me rrezikun ku ndodhet vendi.
LEXONI REKOMANDIMIN E PLOTE NE SEKSIONIN E ADMINISTRATES NE KETE FAQE