9 Mars 2020

Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Plan Praktik Masash Në Kuadrin E Gjendjes Së Coronavirusit Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT BËN THIRRJE PËR PLAN PRAKTIK MASASH NË KUADRIN E GJENDJES SË CORONAVIRUSIT NË SHQIPËRI

Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim informacionet mbi konfirmimin e pacientëve të parë me infeksionin e covid-19 në vendin tonë.

Si një institucion kushtetues në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit në këto momente thekson nevojën që institucionet tona publike të shëndetit publik të jenë në lartësinë e duhur të performancës për t’u shërbyer qytetarëve tanë dhe për të minimizuar pasojat e kësaj epidemie globale në vendin tonë.

Avokati i Popullit çmon se është e rëndësishme të veprohet me shpejtësi nga ana e strukturave shtetërore dhe qytetarëve duke pasur parasysh sa më poshtë vijon:

1. Transparencë dhe informacion në mënyrë periodike, pasi paniku i shkaktuar nga fantazia që nxit errësira informative dhe mungesa e transparencës është më i rrezikshëm se çdo lloj ekzagjerimi mediatik.
2. Sigurim të fondeve të nevojshme shtesë nga buxheti i shtetit, për përballimin me sukses të kësaj situate.
3. Kryerje të kontrolleve rigoroze në pikat hyrëse të vendit, veçanërisht të udhëtarëve që vijnë nga zonat e prekura.
4. Angazhim i të gjitha strukturave shtetërore, veçanërisht atyre shëndetësore për koordinimin mes tyre dhe shpërndarje të informacioneve.
5. Pajisje me mjetet e nevojshme mbrojtëse për personelin mjekësor dhe të gjithë personave të tjerë në kontakt me të dyshuarit si të prekur nga ky virus.
6. Parashikim i një plani në rast të rritjes eventuale të numrit të të prekurve.
7. Karantinim për personat e identifikuar si të prekur në një zonë të sigurtë, si dhe vetëkarantinimin për personat e dyshuar apo të ardhur nga zonat e kuqe.
8. Dizinfektim i të gjitha ambjenteve publike dhe private, të cilat paraqesin rrezik të veçante për transmetimin e virusit.

Gjithashtu Avokati i Popullit këshillon të shmanget paniku dhe të ruhet qetesia, si dhe rekomandon që konform normave sanitare, të përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin për përballimin dhe kalimin me sa më pak pasoja të kësaj situate.

Ndërkohë, për shkak se institucionet arsimore kanë mbyllur dyert për një periudhë dy-javore, institucioni i Avokatit të Popullit kërkon nga autoritetet që të përgatisin një seri më preçize direktivash mbi marrdhëniet e punës të prindërve fëmijët e të cilëve do të qëndrojnë në shtëpi pranë fëmijëve, si për rastet kur prindërit janë të punësuar në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Avokati i Popullit u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të qetë, të veprojnë me përgjegjshmëri, të zbatojnë këshillat e prezantuara nga autoritetet shëndetësore dhe të informojnë menjëherë nëse dyshojnë se ata vetë ose të afërm të tyre mund të paraqesin shenjat e infeksionit.

Njëkohësisht Avokati i Popullit shpreh sugjerimin se është momenti kur autoritetet mund të përpilojnë dhe publikojnë një plan informues me masa të posaçme për institucionet e mbyllura.

Mbi të gjitha, në një situatë si kjo ku ndodhemi, përfshirja, opinioni dhe ekspertiza e specialistëve lypset të prevalojë mbi çdo llogari të vogël për motive politike apo personale.