21 Shkurt 2020

Komiteti Drejtues I Këshillit Të Europës Për Të Drejtat E Njeriut Paraqet Sugjerime Mbi Parimet E Venecias Për Avokatin E Popullit


KOMITETI DREJTUES I KËSHILLIT TË EUROPËS PËR TË DREJTAT E NJERIUT PARAQET SUGJERIME MBI PARIMET E VENECIAS PËR AVOKATIN E POPULLIT

Komisioni i Venecias në datën 3 Maj 2019 ka miratuar një tekst unik ndërkombëtar të referencës që liston parimet ligjore themelore për themelimin dhe funksionimin e tyre në një shoqëri demokratike: Parimet për Mbrojtjen dhe Promovimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, ose "Parimet e Venecias".
25 parimet janë lista më e plotë e përpiluar ndonjëherë, duke filluar nga zgjedhja ose shkarkimi dhe mandatet e ndërmjetësuesve, deri tek garancitë financiare dhe materiale që janë të nevojshme për funksionimin e duhur dhe pavarësinë e institucioneve të Avokatit të Popullit.

Këto parime synojnë të konsolidojnë dhe fuqizojnë institucionet e Avokatit të Popullit, të cilët luajnë një rol vendimtar në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

25 Parimet e Venecias u janë nënshtruar konsultimeve të gjera me institucionet kryesore ndërkombëtare aktive në këtë fushë. Komiteti Drejtues i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut luajti një rol aktiv në këtë proces. Ndër shoqatat ndërmjetësuese dhe organizatat ndërkombëtare partnere të përfshira në zhvillimin e këtij teksti janë Instituti Ndërkombëtar i Avokatit të Popullit, një shoqatë globale e ombudsmanëve nga më shumë se 100 vende, dhe Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.

Komisioni i Venecias shpreson që teksti i ri i referencës do të udhëheqë dhe mbështesë krijimin dhe funksionimin e duhur të institucioneve të Avokatit të Popullit, stabilitetin e demokracive dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore.

Në këtë kuadër Rekomandimi 2163 (2019) i Asamblesë Parlamentare ka ngritur disa pika interesante lidhur me Parimet e Venecias dhe Komisionin e Venecias veçanërisht pika 4 ku përcaktohet se:
Komisioni i Venecias synon të inkurajojë institucionet e Ombudësmanëve të shteteve anëtare, gjithashtu përmes ndihmës së shoqatave të ndryshme botërore dhe rajonale të Institucioneve të Ombudsmanëve me të cilat Komisioni i Venecias ka bashkëpunim të vazhdueshëm, të kërkojë mendimin e Komisionit për çdo ligj ose ndryshime kushtetuese dhe / ose legjislative që preken. Komiteti vëren se Komisioni do të vlerësojë përmbajtjen normative kushtetuese dhe legjislative në frymën e Parimeve të Venecias dhe rekomandimeve përkatëse të Komitetit të Ministrave, veçanërisht Rekomandimit CM / Rec (2019) 6 i përmendur më lart.
Dhe pika 5:
Komiteti i Ministrave risjell në vëmendje gjithashtu se ka mbajtur një shkëmbim të pikëpamjeve (në mënyrë jozyrtare) më 5 shtator 2019 me iniciativën e Presidencës Franceze, për kontributin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe të drejtuesve të këtyre institucioneve. Ky takim dha një mundësi për dialog me përfaqësuesit e institucioneve mbi sfidat me të cilat përballen; identifikimin e çështjeve për diskutim dhe veprimi në të ardhshëm, të cilat synojnë bashkëpunim më të ngushtë me Këshillin e Evropës. Komiteti i Ministrave është i përgatitur të zhvillojë përsëri shkëmbime të tilla kur të jetë e nevojshme.