2 Shkurt 2020

Avokati I Popullit Ngre Zërin Për Forcimin E Masave Kundër Krimeve Ndaj Grave


AVOKATI I POPULLIT NGRE ZËRIN PËR FORCIMIN E MASAVE KUNDËR KRIMEVE NDAJ GRAVE

Institucioni i Avokatit të Popullit dënon vrasjen e gruas 33 vjeçare në Xhafzotaj të Durrësit, e cila shënon rastin e katërt radhazi brenda javëve të para të këtij viti.

Vrasjet e gruas brenda familjes janë një dukuri e cila në vend që të vijë duke u ulur, përkundrazi po njeh rritje në Shqipëri çka na tregon se asnjë nga masat e ndërmarra në këtë drejtim nuk po jep rezultatin e duhur.

Vetëm vitin e kaluar u vranë 15 gra në Shqipëri, kryesisht brenda familjes, për arsye fare banale, nga bashkëshortët dhe të afërm të tjerë.

Disa prej tyre mbetën viktima ndonëse ishin nën urdhër mbrojtjeje, masë kjo e cila gjithnjë e më shumë duket se ka nevojë për rishikim ndërkohë që nuk po dëshmohet efektive.

Avokati i Popullit bën thirrje që dhuna dhe krimi me viktimë gratë në familje, ka nevojë për një analizë më të thelluar për nxjerrjen e shkaqeve të vërteta të tyre.

Varfëria e familjeve tona, rënia e vazhdueshme e nivelit arsimor dhe pasiguria në punësim apo në garantimin e një jete normale, është në bazën e mosmarrëveshjeve dhe krizave familjare të cilat prodhojnë viktima, në masën e tyre më të madhe, kryesisht gra, si më të pambrojturat në këtë përplasje të vazhdueshme.

Avokati i Popullit kërkon gjithashtu rreptësimin e kritereve të zbatimit të urdhërave mbrojtës dhe një punë më efikase nga autoritetet tona policore në parandalimin e konflikteve dhe krimeve brenda familjes.