18 Dhjetor 2019

Avokati I Popullit Zhvillon Vizita Inspektuese Në Burgun E Zaharisë Në Krujë Dhe Në Shën Koll Të Lezhës


AVOKATI I POPULLIT ZHVILLON VIZITA INSPEKTUESE NË BURGUN E ZAHARISË NË KRUJË DHE NË SHËN KOLL TË LEZHËS

Avokati i Popullit vazhdimisht ka tërhequr në mënyrë të përsëritur vëmendjen për kushtet e trajtimit në spitalet e kujdesit të shëndetit mendor dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ku janë vendosur personat me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer vepra penale për të cilat gjykatat kanë marrë vendim për “mjekim të detyruar në një institucion mjekësor. Moszbatimi i ligjit nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”, për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor me qëllim trajtimin e kësaj kategorie personash, ka sjellë problematikën e trajtimit të tyre në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, të cilat për më tepër gjenden në kushte mjaft të rënduara. Institucioni i Avokatit të Popullit, në rolin e MKPT-së në mënyrë të përsëritur u ka rekomanduar institucioneve përgjegjëse mbylljen e I.E.V.P. Zahari, Krujë ku ata trajtohen më së shumti, dhe ka bërë thirrje në çdo tryezë për ngritjen e institucionit të veçantë të parashikuar me ligj. ”. Deri në ngritjen e këtij institucioni, Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar përmbushjen e standardeve të kushteve materiale të këtyre mjediseve të lidhura drejtpërsëdrejti me investimet e pamjaftueshme, si dhe ofrimin e një shërbimi cilësor që mundësohet pikësëpari me rritjen e numrit të punonjësve të stafeve mjekësore dhe atyre mbështetëse.

Në vijim të konstatimeve të bëra gjatë inspektimeve të mëparshme, me shqetësimin që përtej premtimeve për zbatim të rekomandimeve, situata nuk ka ndryshim të qenësishëm, më datë 17 dhjetor 2019, Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca, Komisionerja e MKPT-së znj. Ermonela Xhafa, këshilltarja dhe ish drejtuesja e MKPT-së znj. Jorida Rustemi, si dhe ndihmëskomisionerja znj. Nertila Qafzezi, zhvilluan një vizitë inspektuese për ndjekjen e problematikave në I.E.V.P. Zahari, Krujë ku vuajnë dënimin personat me mjekim të detyruar, si dhe I.E.V.P. Shën Koll Lezhë ku janë parashikuar të transferohen ata pas përfundimit të punimeve.

Gjatë vizitës inspektuese në I.E.V.P. Krujë, pavarësisht punës me përkushtim të stafit, u konstatua se, përkundër rekomandimeve të përsëritura të Avokatit të Popullit, organizatave ndërkombëtare të ngritura në mbështetje të Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor ose Degradues (si p.sh. Komitetit kundër Torturës të Këshillit të Evropës CPT), organizatave jofitimprurëse që operojnë në vend (p.sh. Komiteti Shqiptar i Helsinkit KSHH, Përthyerje, etj.), kjo I.E.V.P. vazhdon të mbetet në funksionim si Institucion i Veçantë Shëndetësor nuk plotëson asnjë kriter apo standard për të funksionuar si i tillë. Jo vetëm situata infrastrukturore është në degradim, por mbipopullimi i tejskajshëm e i vijueshëm, nuk është shoqëruar me rritjen e numrit të stafit për të përmbushur nevojat për siguri, e për trajtim të përshtatshëm me kujdes shëndetësor e psiko-social.

Iniciativa e Ministria e Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për rikonstruktimin dhe përshtatjen e dy godinave brenda IEVP-së Shën Koll, Lezhë, të cilat do të shërbejnë për akomodimin e personave të trajtuar në IEVP Zahari, deri në ngritjen e institucionit të posaçëm të parashikuar me ligj, e shtyu Avokaten e Popullit të vijojë vizitën inspektuese në IEVP Shën Koll Lezhë, për të vlerësuar nga afër situatën. Pas takimit me drejtuesin e institucionit dhe inspektimit në vend, u konstatua se punimet infrastrukturore të godinave janë larg përmbushjes së afateve dhe përmbylljes, e për rrjedhojë të papërshtatshme për të filluar nga funksionimi, gjë kjo që paraprakisht do të kërkojë përcaktimin e statusit të tyre të varësisë dhe plotësimin me staf, mjete pune, pajisje dhe objekte që mundësojnë jetesën me dinjitet të personave që do të trajtohen në to. Aktualisht Avokati i Popullit po punon për nxjerrjen e një raporti të detajuar me gjetjet mbi gjendjen faktike të shoqëruar nga rekomandimet përkatëse.