11 Nëntor 2019

Zhvillohet Tryeza E Rrumbullakët “Roli I Avokatit Të Popullit Në Mbrojtjen Dhe Promovimin E Të Drejtave Të Njeriut”


Zhvillohet Tryeza e rrumbullakët “Roli i Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”

Zhvillohet në Tiranë Tryeza e rrumbullakët e organizuar nga Avokati i Popullit dhe OSBE, me temë: “Roli i Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”. Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh: 

Të nderuar pjesëmarrës, partnerë të OSBE, kolegë dhe dashamirës!
Së pari dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë konferencë tonën të përbashkët
me OSBE, me tematikë: Roli i Avokatit të Popullit në Mbrojtjen dhe Promovimin e të
drejtave të njeriut.
Sikurse është e lehtë ta dallosh, ajo që do të diskutojmë sot ka të bëjë me dy
komponentë. Me atë çka Avokati i Popullit ka bërë e mund të bëjë në çështjen e
rëndësishme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe atë çka Avokati I Popullit ka
bërë e mund të bëjë në çështjen po aq me peshë, të promovimit të këtyre të
drejtave.
Dhe jemi këtu në përputhje të plotë me mandatin e dyfishtë që ky institucion I
rëndësishëm I demokracisë ka në vendin tonë: mbrojtje dhe promovim.
Në këtë fjalë të shkurtër, dua t’I cek pak të dyja këto çështje, por më lejoni ta filloj
trajtesën nga e kundërta.
Promovimi I të drejtave të njeriut është në optikën time I një rëndësie thelbësore në
shoqëri si kjo e jona. Dhe më besoni, nuk jam nga ata njerëz që besojnë se duhet të
prevalojë marketimi, reklama apo teknologji të tjera që synojnë të amplifikojnë
dukjen në kurriz të thelbit.
Në rastin e të drejtave të njeriut, promovimi është kurrgjë tjetër pos një proces I
domosdoshëm edukimi. Të drejtat e njeriut nuk janë një mall tregtar që duhet të
synojmë t’ua shesim blerësve të painteresuar.
Të drejtat e njeriut janë esenca gjenetike e shoqërive demokratike. Ato janë jo
vetëm caku i këtyre shoqërive por edhe zanafilla e tyre.
Mirëpo shpesh historia tregohet e padrejtë. Popuj si shqiptarët të cilët kanë jetuar
gjatë në errësirë, e kanë të vështirë ta kthejnë vështrimin lirisht nga drita i mësuar
sytë gradualisht me të.
Mungesa e vetëdijes për të drejtat e tua si qytetar, të shndërron lehtë nga një
subjekt aktiv, në një objekt pasiv. Nga një qenie që vepron, në një send që pëson.
Dhe është pikërisht mungesa e familjaritetit me të drejtat e njeriut, ajo që ne
besojmë se shërben si baza mbi të cilën themelohet sot shumica dërrmuese e
dhunimit të të drejtave të njeriut.
Nuk ka abuzim më të tmerrshëm të një njeriu, sesa ai që nuk perceptohet fare si një
abuzim. Mjerisht në shoqërinë tonë, e hasim këtë dukuri të përhapur në mënyrë gati
endemike.

Shtypja e gjatë, mund të them gati e përhershme në historinë e shqiptarëve,
mungesa e traditës demokratike, ndërthurja fatkeqe e rrethanave e të tjerë faktorë e
shndërrojnë shpesh në një sfidë armatosjen e individit tek ne, me vetëdije civile.
Mbi 5000 çdo vit është mesatarisht numri i ankesave që adresohen te Avokati i
Popullit, mirëpo ne besojmë se kjo është vetëm pjesa e dukshme e një ajsbergu. Ne
besojmë se kjo nuk përputhet me shkallën e vërtetë të padrejtësisë që pësohet në
shoqërinë tonë dhe ashtu si në rastin e ajsbergut, pjesa e tij më e madhe, as që
dëshmohet kurrë, pasi merret si e dhënë e natyrshme se ajo duhet të qëndrojë
përjetësisht e zhytur nën ujë.
Pikërisht kjo sasi gjigande ankesash që jo vetëm që nuk dorëzohen kurrë, por as që
perceptohen fare si shkelje që bëhen në kurriz të qytetarëve, janë ato që kanë
nevojë të ekspozohen në dritë.
Janë ato që e bëjnë të domosdoshëm misionin promovues të të drejtave të njeriut
me të cilin është I ngarkuar – edhe pse pa mbështetje adekuate mjetesh e fondesh –
institucioni ynë.
Promovimi i të drejtave të njeriut duhet të shndërrohet në një mision të pandërprerë
shpëtimi për qindra e qindra qytetarë që ende I besojnë bindjes së trashëguar se një
autoritet zyrtar e ka të brendashkruar të drejtën ta shkelë ligjin e ta përthyejë atë
sipas interesit, ta fshehë informacionin, ta zvarrisë ofrimin e një shërbimi etj.
Nëse ka një arsye pse administrata publike, shërbyesit publikë, ende nuk janë të tillë,
pra shërbyes ndaj publikut, kjo vjen kryesisht sepse publiku ende nuk e sheh veten si
i zoti i këtyre shërbyesve. Ky është mentaliteti që duhet të synojë për të ndryshuar
promovimi I të drejtave të njeriut në mënyrë që mbrojtja e të drejtave të njeriut në
Shqipëri të jetë me të vërtetë një mision I kryer.
Tani, kur flasim për mbrojtje të drejtash të njeriut, duhet të biem në marrëveshje
fjale jo për atë se çfarë kuptojmë me të drejtë të njeriut, por sidomos për atë se
çfarë konsiderojmë mbrojtje.
Aktorë të ndryshëm shoqërorë kanë në dispozicion mjete e instrumente të
ndryshme për të kryer misionin e tyre të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Organizatat joqeveritare mund të zhvillojnë peticione, protesta, manifestime, etj.
Organizata globale e ndërkombëtare mund të ushtrojnë ndikim diplomatik,
ekonomik e politik.
Mandati i Avokatit të Popullit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, I jep institucionit
tonë një numër instrumentesh të kufizuar me ligj për ta ekzekutuar këtë rol. Ndër to,
rekomandimi mbetet mjeti kryesor. Të jemi të qartë, rekomandimi I Avokatit të
Popullit përpilohet pas një pune vërtet serioze hulumtuese dhe analize të thellë që
kryhet nga seksionet tona.

Mirëpo, përvoja shpesh na dëshmon se pavarësisht shtjellimeve vërtet të
hollësishme, arsyetimeve me të cilat pajisen rekomandimet që Avokati I Popullit u
dërgon autoriteteve shkelëse të të drejtave të njeriut, reagimi nuk është ai që do të
ishte nëse në krye të Rekomandimeve tona nuk do të shkruhej fjala Rekomandim,
por “Denoncim”.
Rekomandimi, këshillimi dhe të tjera mjete të buta presioni, kryesisht moral,
funksionojnë vetëm nga premisa që ato t’I adresohen një subjekti me ndjeshmëri
morale. Por nga natyra e vet, edhe pse I populluar nga qënie njerëzore, shteti është
një makineri e ftohtë.
Nëse për njeriun, morali, ndjeshmëria humane e të tjera sensibilitete janë faktorë
veprues, për makinën, kjo është e vështirë të ndodhë. Kësisoj, e vetmja zgjidhje
është një proces I gjatë por këmbëngulës I kolonizimit të makinerisë së shtetit nga
humanizmi, ajo që do ta bëjë makinën të ndikueshme dhe reaguese ndaj
ngacmimeve të jashtme morale.
Veprimi I rekomandimeve të autoriteteve që janë të përqendruara në fushën e të
drejtave të njeriut, do të varet pikërisht nga ky proces.
Ju faleminderit!