Avokati I Popullit Perkujton Renien E Murit Te Berlinit
Rënia e Murit të Berlinit është shënimi i një momenti që përkon me fillimin e shndërrimeve të mëdha politike, shoqërore dhe ekonomike në pjesën e Europës ku ndodhet edhe vendi ynë.
9 Nëntori i vitit 1989 vazhdoi të dukej një ditë si gjithë të tjerat në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, megjithatë reperkursionet e ngjarjes së madhe që rezonoi nga Berlini i largët, e bënë të qartë se tashmë historia po hynte në një itinerar të pakthyeshëm.
Vetëm një vit më vonë edhe Tirana dhe gjithë Shqipëria do të inauguronin nisjen e erës së re të pluralizmit politik duke i dhënë fund monopartitizmit të deriatëhershëm dogmatik.
Nga ai moment i jashtëzakonshëm i vitit 1989, kur një mur ndarës mes dy botëve u shemb me një lehtësi që deri atëherë ishte menduar e pamundur, kanë kaluar 30 vjet.
Kur edhe një dekadë mbetet për ta barazuar kohën e dominimit komunist me epokën e re të demokracisë, shoqëri si e jona këtu në Shqipëri, ende vazhdojnë përpjekjet për t'i dhënë fund tranzicionit, për të mbërritur në hapësirën e begatisë ekonomike të premtuar atë nëntor të ftohtë të 1989-ës dhe për t'u pranuar më në fund si të barabarta në familjen e kombeve të qytetëruara.
Lufta për të arritur standardin e të drejtave të njeriut dhe të lirive që përbëjnë palcën kurrizore të një shoqërie të zhvilluar demokratike, ende vazhdon.
Shembja e Murit të Berlinit, na përkujton se asnjëherë nuk duhet të ndalemi para pengesave, sado të fortifikuara, të larta dhe të pathyeshme të duken ato.