10 Nëntor 2019

Avokatja E Popullit Merr Pjese Dhe Pershendet Konferencen E Trete Rajonale Vjetore Te Era


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESE DHE PERSHENDET KONFERENCEN E TRETE RAJONALE VJETORE TE ERA

Konferenca rajonale vjetore e ERA-s, është një nga eventet më të rëndësishme të komunitetit LGBTI në rajonin tonë.

Për herë të parë, sivjet ky event u zhvillua në Tiranë në praninë e më shumë se 160 anëtarëve dhe grupeve aktiviste të këtij komuniteti nga gjithë Europa Juglindore.

Aktiviteti i cili u parapri edhe nga një ekspozitë, u përshëndet edhe nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, e cila në fjalën e saj u shpreh:

"Të nderuar miq dhe kolegë, të ftuar dhe dashamirës!
Ju përshëndes dhe ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të bashkëbiseduar sot këtu.

Evente si konferencat vjetore, ngjajnë të mërzitshme kur i rendit si fjalë të zhveshura nga kuptimi, por janë të rëndësishme kur i shikon si koordinata përmes të cilave ne mund të shënojmë progresin e arritur.

Për këtë arsye e shoh me kuriozitet dhe interes edhe konferencën vjetore të ERA-s në të cilën pata nderin të ftohem, sidomos teksa ajo sivjet organizohet në Shqipëri.
Në këtë takim sot jemi mbledhur bashkarisht përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve për të folur mbi respektimin e të drejtave të personave LGBTI, të cilën nuk kërkojnë gjë tjetër përveç se respektim të të drejtave të njeriut.

Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut kanë rëndësi të veçantë për funksionimin normal të shteteve demokratike, pasi nga respektimi i këtyre të drejtave dhe lirive lidhet ngushtë e drejtpërdrejt edhe zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik.

Në Shqipëri ka patur përparim lidhur me respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI gjatë viteve të fundit e shprehur kjo edhe në miratimin e legjislacionit në mbrojtje të tyre. Sot kemi një legjislacion efikas kundër diskriminimit, të drejtat e LGBTI diskutohen publikisht, ka një komunitet të kosoliduar dhe aktiv në mbrojtje të të drejtave.

Por a mjafton kjo? A respektohen dhe a u garantohen të drejtat që parashikon ligji anëtarëve të këtij komuniteti në jetën e përditshme? Nuk mundet që vetëm të hartohen ligje të mira apo në përputhje me standardet që kërkojnë konventat apo dokumentat e tjera ndërkombëtare që ka ratifikuar Shqipëria.

Në të përditshmen ndodh që urrejtja, gjuha e urrejtjes apo diskriminimit, të gjejë vend në ligjërimin publik, të gjejë vend në gojën e politikanëve të caktuar, të anëtarëve të parlamentit shqiptar, apo përmes lirisë virtualisht të pakufizuar të rrjeteve sociale, të manifestohet në komentet apo postimet e kujtdo që mendon se e posedon këtë lloj lirie të pakufishme. Avokati i Popullit, si institucioni kryesor i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, është realisht i shqetësuar për episode të këtilla kurdoherë që ato shfaqen.

Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga institucionet tona shtetërore të tregohen energjike dhe vokale në dënimin e këtyre lloj sjelljeve, pasi mendojmë se hezitimi për ta bërë këtë, i trimëron ata që mendojnë se kanë të drejtë ta promovojnë intolerancën e tyre si të ishte ndonjë vlerë. Aq i dëmshëm është ngurrimi për të dënuar intolerancën ndaj urrejtjes, saqë jemi dëshmitarë se ai shërben si bazë që urrejtësit profesionistë që shpesh tek ne popullojnë edhe hapësira legjislative, të marrin zemër për të sulmuar jo vetëm komunitetet e diskriminuara të shoqërisë, por deri edhe mbrojtësit e këtyre komuniteteve, vetëm për arsyen pse këta të fundit guxojnë të shfaqin papajtueshmërinë e tyre apo revoltën ndaj diskriminimit.

Mendoj dhe do të kërkoj me forcën që më jep ligji që këto raste të marrin përgjigjen e duhur dhe që personat që I shfaqin të marrin dënimin sipas parashikimeve në dispozitat përkatëse të Kodit Penal, qofshin këta adoleshentë anonimë që fshihen pas pseudonimeve në Facebook, apo deputetë me adoleshencë të vonuar që e pandehin mandatin e deputetit si autorizim me afat të palimituar për papërgjegjshmëri.

Shoqëria shqiptare dhe besoj, edhe shoqëritë e vendeve të tjera të Ballkanit si dhe Turqia kanë një mentalitet i cili ka ende nevojë të ndryshojë lidhur me të drejtat e njeriut, dhe në mënyrë të veçantë për grupet që janë më të disavantazhuara në shoqërite tona.

Për këtë arsye është e domosdoshme që të flitet hapur për problematikat, të ndërgjegjësohet shoqëria për faktin e diversitetit ku ne jetojmë dhe që jemi të gjithë të ndryshëm por njëkohësisht jemi të gjithë të barabartë.

Për këtë qëllim vlen të përmendet që bashkëpunimi i institucioneve të pavarura por jo vetëm, me organizatat e shoqërisë civile, në bashkëorganizimin e aktiviteteve apo eventeve të ndryshme sensibilizuese ka një rëndësi të veçantë. Ne si institucion kemi një bashkepunim të shkëlqyer me organizatat në vend për këtë gjë.

Më lejoni t’ju siguroj se institucioni i Avokatit të Popullit do të jetë gjithmonë në mbështetje të kauzës dhe bashkarisht do të kërkojmë promovimin e respektimin e këtyre të drejtave, në monitorimin e zbatimit të tyre, sidomos në shërbimet e ndryshme që jep shteti shqiptar: në shëndetësi, në arsim, në punësim, në formim profesional e të tjera.
Duke i uruar punë të mbarë konferencës suaj shpreh angazhimin tim për të qenë gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI që janë të drejta të njeriut!"