Avokati I Popullit Dorëzon Në Kuvend Raportin E Veçantë Për “Astirin”
Institucioni i Avokatit të Popullit ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë një raport të veçantë në lidhje me situatën e krijuar si rezultat i procesit të shpronësimeve në zonën e Unazës së re, të njohur si “zona e Astirit”.
Një procedurë e hollësishme dhe serioze hulumtimi është kryer nga grupet eksperte të institucionit rezultatet e së cilës janë përfshirë në këtë raport i cili ndodhet sot në duart e ligjvënësve shqiptarë.
Në bazë të ligjit organik të Avokatit të Popullit, institucioni “mund të paraqesë, me nismën e tij ose me kërkesën me shkrim të Kryetarit të Kuvendit ose të një grupi deputetësh, raporte të veçanta, për çështje të ndryshme brënda funksioneve të tij, veçanërisht nëse ajo përbën shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore”.
Gjithashtu, po në bazë të këtij ligji “raportet e veçanta të Avokatit të Popullit diskutohen në Kuvend brënda dy muajve nga depozitimi. Nëse raporti vjetor ose raportet e veçanta nuk diskutohen nga Kuvendi, brënda afateve të parashikuara në këtë dispozitë, Avokati i Popullit ka të drejtë të publikojë raportin”.