6 Tetor 2019

Avokati I Popullit Heton Mbi Situatën E Raportuar Të Helmimit Të Nxënësve Në Fshatin Postribë Të Koplikut


AVOKATI I POPULLIT HETON MBI SITUATËN E RAPORTUAR TË HELMIMIT TË NXËNËSVE NË FSHATIN POSTRIBË TË KOPLIKUT

Nisur nga informacioni në media për simptoma intoksifikimi në masë të nxënësve të shkollës së mesme të fshatit Postrribë, Bashkia Koplik, ditën e premte pasdreke, datë 4 tetor 2019, një mission faktmbledhës i Avokatit të Popullit ka mbërritur në Shkodër për të kryer veprime lidhur me këtë situatë.

Vizita u krye në spitalin rajonal të Shkodrës ku u administruan foto dhe ekzaminime të kartelave mjekësore dhe regjistrave të pranimin pranë repartit të Urgjencës të këtij spitali, nga ku u mor informacion se të gjitha rastet e paraqitura pranë këtij reparti ishin referuar pranë Repartit të Specializuar Infektiv të këtij spitali, i cili kishte trajtuar dhe vazhdonte të trajtonte pacientët e ardhur fashti Postribë.

Sipas informacioneve spitalore gjatë datës 3 dhe 4 tetor janë paraqitur dhe hospitalizuar pranë këtij reparti 16 raste të nxënësve te grupmoshave të ndryshme të cilët kanë shfaqur dhembje barku, dhembje koke, temperaturë, të cilët kanë rezultuar si raste të diagnostifikuara si toksifikacion gastro-intestinal.

Nga trajtimi i tyre, nuk ka pasur komplikacione të mëtejshme dhe pjesa më e madhe pas marrjes së mjekimit janë dehospitalizuar për mjekim të mëtejshëm në gjendje shtëpie. Nga këta, vetëm 7 persona vazhdojnë në mbahen të shtruar pranë këtij reparti, për trajtim të metejshëm dhe mbajtje nën vëzhgim pasi gjendja e tyre nuk është stabilizuar plotësisht akoma.

Mjekët pohuan se nuk është arritur një identifikim i plotë i shkakut të këtij intoksikacioni pasi pistat kryesore mbeten konsumimi i ushqimit problematik pranë pikave të shitjeve ambulatore afër shkollës, disa riparime në sistemin e ujësjellësit, apo edhe ndonjë virozë e veçantë e shfaqur në një territor të caktuar.

Nga informacionet e marra nga nxënësit dhe prindërit e tyre, konstatohet shkaku i këtyre simptomave ishte jo i qartë pasi kishte nxënës që kishin shfaqur simptoma të tilla dhe nuk mbanin mend të kishin konsumuar ushqim pranë pikave ambulatore; ndërsa lidhur me konsumin e ujit dhe riparimet në ujsjellës, nuk kishte të rritur që kishin shfaqur simptoma të ngjashme.

Policia e shtetit ka filluar hetime të thelluara dhe ka shoqëruar personat përgjegjës të pikave ambulatore të shitjes së ushqimeve pranë shkollës. Gjithashtu, një ekip i specializuar i AKU-së, ishte dërguar në terren për të bërë analizat shkencore lidhur me cilësinë e ujit dhe cilësinë e ushqimive të tregëtuara në atë fshat. Autoritetet e Shëndetit Publik ishin në ekzaminim e sipër të situatës virale dhe prekjes prej saj të një grup-moshe të caktuar në fshatin Postribë.