Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Takimin E Këshillit Kombëtar Të Integrimit Europian
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë sot në mesditë në Takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku do u diskutua progresi i bërë nga institucionet e pavarura për adresimin e rekomandimeve të Komisionit Europian në raportin e vitit 2019 për Shqipërinë.
Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit ceku nevojën e rritjes së shkallës së zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucionit tonë nga ana e autoriteteve shtetërore, shqetësim I cili ngrihej edhe në disa nga kapitujt e Raportit të Progresit të Komisionit Europian.
Avokatja e Popullit e konsideroi të dobishme ngritjen e mekanizmit për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese ashtu si edhe ndjekjen e rekomandimeve të institucionit tonë nga ana e Ministrisë së Marrdhënieve me Kuvendin. Megjithatë, shtoi Avokatja e Popullit “edhe pse ka një përmirësim në zbatimin e rekomandimeve të institucionit tonë, ai përsëri nuk është në nivelin që ne do të donim”.
Avokatja e Popullit gjithashtu trajtoi edhe tematikat e ngritura në Rekomandimet e Nënkomitetit të Dhjetë mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Ajo tregoi mbi kontributin e Institucionit tonë në raport me Reformën në Drejtësi, çështjen e pronave, gjendjen e burgjeve, si dhe radhiti rekomandimet që Avokati i Popullit ka përpiluar mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, të drejtat gjinore dhe dhunën mbi baza gjinore, shëndetësinë, gjuhën e urrejtjes, etj.
Në përfundim të fjalës, Avokatja e Popullit garantoi se Institucioni ynë si një institucion i pavarur Kushtetues, që ka si shtylla kryesore të veprimtarisë së tij, mbrojtjen, parandalimin e shkeljeve dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të ligjshme të individëve, do të vazhdojë kontribuojë me dedikim maksimal.