11 Korrik 2019

Organizohet Tryeze Konsultimi Ne Kuadrin E Mbrojtjes Se Grave Dhe Vajzave Nga Ngacmimet Seksuale Ne Vendin E Punes


ORGANIZOHET TRYEZE KONSULTIMI NE KUADRIN E MBROJTJES SE GRAVE DHE VAJZAVE NGA NGACMIMET SEKSUALE NE VENDIN E PUNES

Avokati i Popullit në bashkëpunim me UNDP Shqipëri, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizuan një tryezë konsultimi me temë "Parimet, politikat dhe standardet e një mjedisi të sigurtë pune".

Të ftuar në tryezë ishin përfaqësues të administratës publike, sektorin privat dhe shoqërinë civile.

Ekzistenca e politikave dhe procedurave kundër ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës në administratën publike dhe entitetet private kontribuojnë në një mjedis të sigurt pune ishin në fokusin e diskutimeve.

"Dhuna ndaj grave, duke përshirë dhunën në familje, përbën një ndër format më serioze të shkeljes të së drejtave të njeriut me bazë gjinore, që shkel, dëmton apo bën të pavlefshëm gëzimin nga ana e grave e të drejtave të tyre njerëzore, në mënyrë të veçantë të drejtat e tyre themelore për jetën, sigurinë, lirinë, dinjitetin dhe integritetin fizik dhe emocional, dhe për më tepër është akoma e mbështjellë me heshtje", tha në fjalën e saj Avokatja e Popullit Erinda Ballanca.

Çështjet që lidhen me ngacmimin, ngacmimin seksual dhe që lindin gjatë ushtrimit të veprimtarisë ose për shkak të veprimtarisë janë një shqetësim i evidentuar tashmë në raporte e studime të ndryshme. Në këtë shqetësim përfshihen të gjitha stafet e strukturat pa dallim. A gëzojnë mbrojtje efektive gratë dhe burrat ndaj ngacmimeve seksuale në vendin e punës në të gjitha nivelet e administratës publike dhe në sektorin privat?

Përmes kësaj tryeze konsultimi u synua të nxiten diskutime e debate për të arritur në përfundime lidhur me nevojat për rregullime ligjore, politike dhe proceduriale kundër dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual për të garantuar një mjedis të sigurt pune në sektorin publik dhe privat.

Kjo tryezë konsultimi, u iniciua nga UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA.