Avokati I Popullit Vlerësohet Në Kuadër Të Projektit "Transparenca Në Sistemin Shëndetësor" Të Usaid
Institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë një certifikatë vlerësimi për bashkëpunimin në kuadrin e projektit të mbështetur nga USAID "Transparenca në Sistemin Shëndetësor".
Që prej marsit 2017, Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID nëpërmjet projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor” ka siguruar asistencë teknike për Avokatin e Popullit, si njëri ndër tre institucionet kryesore të pavarura dhe disa organizata të shoqërisë civile dhe medias për të identifikuar korrupsionin në sistemin shëndetësor.
Projekti gjeneroi të dhëna nëpërmjet auditimeve të performancës, raportimit të aseteve dhe hetimit të ankesave me qëllim nxitjen e mekanizmave të transparencës dhe angazhimin e qytetarëve në mënyrë më efikase në luftën ndaj korrupsionit në shëndetësi.
Qëllimi kryesor i takimit në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të USAID-it, Avokatit të Popullit, ILDKPI-së, Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe aktorëve të pavarur, ishte reflektimi mbi ecurinë e Projektit me tre partnerët kryesorë të institucioneve mbikëqyrëse, organizatat e shoqërisë civile dhe medias dhe diskutimi i rrugëve të ardhshme për përmirësimin e transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në sektorin shëndetësor.
Në emër të USAID Shqipëri, Zj. Mikaela Meredith, Drejtore, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë krenare për këtë projekt. “Ky projekt përfundon, por puna do të vazhdojë. Unë dëshiroj të nxis dialogun e vazhdueshëm bashkëpunues midis institucioneve mbikëqyrëse, organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Të gjitha këto i bashkon qëllimi për përmirësimin e transparencës së qeverisë, forcimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe mbrojtjen e burimeve publike nga shpërdorimi,” nënvizoi ajo.
Zj Erinda Ballanca, Avokate e Popullit theksoi në fjalën e saj vlerën e projektit për institucionin që ajo drejton. “Unë jam e bindur se ky projekt ishte një domosdoshmëri në të gjithë komponentët e përzgjedhur për të ofruar asistencë teknike. Falë rritjes së njohurive të stafit tonë për sektorin shëndetësor dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, institucioni i Avokatit të Popullit do të angazhohet maksimalisht për të kontribuar në çdo nismë që kërkon respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e pacientëve në luftën ndaj korrupsionit në shëndetësi.”
Qëllimi i projektit (mars 2017 - korrik 2019) ishte të krijojë një mjedis më të përgjegjshëm në shëndetësi duke rritur rolin mbikëqyrës të institucioneve të pavarura dhe duke angazhuar përfituesit, shoqërinë civile dhe qytetarët.