4 Qershor 2019

Avokati I Popullit Ngre Shqetësimin Për Praktikën E Pengimit Të Vazhdueshëm Të Kryerjes Së Misionit Të Vet Nga Ana E Organeve Të Policisë


AVOKATI I POPULLIT NGRE SHQETËSIMIN PËR PRAKTIKËN E PENGIMIT TË VAZHDUESHËM TË KRYERJES SË MISIONIT TË VET NGA ANA E ORGANEVE TË POLICISË

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer sërish monitorimin e protestës së datës 02.06.2019 si dhe sjelljen e organeve ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj proteste.

Avokati i Popullit ka konstatuar se manifestimi përgjithësisht paqësor i masës dërrmuese të pjesëmarrësve në protestë është shoqëruar edhe nga akte të ndryshme te kryera nga nje numer protestuesish që nuk mund të klasifikohen si manifestim paqësor i pakënaqësisë, ku përfshiheshin hedhja e kapsollave zhurmuese, tymuesve, flakadanëve sportivë dhe materialeve të tjera jo-luftarake por të rrezikshme nëse keqpëroren.

Është vërejtur po ashtu, gjatë pjesës së dytë të protestes prania e protestuesve të rinj në moshë (nën moshën 18 vjeç) të cilët janëparë të përdorin këto mjete pranë godinës se Kuvendit dhe për këtë fakt Avokati i Popullit po kryen verifikimet përkatëse.
Institucioni i Avokatit të Popullit përsëri çmon se organizimet e protestave duhet të shmangin dhe dekurajojnë në çdo rast përdorimin e dhunës apo formave të ngjashme me dhunën si cak për të arritur apo promovuar qëllimet e protestës.

Gjithsesi, Avokati i Popullit mbetet i shqetësuar për nivelin e lartë të polarizimit të gjuhës politike në vend, e cila në shumë raste mbërrin deri në kufijtë e gjuhës së urrejtjes gjë që në mënyrë automatike shkakton një reaksion zinxhir i cili i barrikadon qytetarët në llogore antagoniste dhe nxit sjellje që çojne në tejkalimin e të drejtave nga qytetarët apo kompetencave nga autoritetet, shkeljen e të drejtave të njeriut, abuzimin, etj.

Gjithashtu Avokati i Popullit shpreh keqardhjen për lëndimet e të gjitha llojeve të pësuara si nga qytetarët ashtu edhe nga punonjësit e agjencive ligjzbatuese dhe nuk pajtohet me asnjë rrethanë që shërben si shkak për këto dëmtime.

Nga inspektimi i kryer në mjediset e QSUT dhe Spitalit Ushtarak, ekipi i Avokatit të Popullit ka konstatuar se:

Në QSUT ishte paraqitur vetëm 1(një) protestues me shenja helmimi nga gazi lotësjellës dhe konkretisht protestuesi D.M. 54 vjeç nga Shkodra i cili ishte duke marrë mjekimin e nevojshëm nga stafi mjekësor.

Në Spitalin Ushtarak ishin paraqitur fillimisht 10 efektivëpolicie prej të cilëve 6 ishin të pranishëm në momentin e inspektimit, të tërë me dëmtime të lehta në këmbë apo duar.

Protestues ishin 4 (katër) prej të cilëve 2 ishin me dëmtime të rënda.

E.B. 29 vjeç nga Fieri (protestues) i dëmtuar në këmbë me pjesë metalike (të pa përcaktuara ende).

I.Ç 52 vjeç nga Tirana (protestues) i dëmtuar në kokë dhe në pjesë të ndryshme të kokës.

Grupi i monitorimit ka administruar nga Kryeinfermjerja e Spitalit Ushtarak, të gjithë listën e personave të paraqitur në Spitalin Ushtarak pjesmarrës në protestë.

Gjithashtu ekipe të Avokatit të Popullit kanë kryer inspektime në Drejtorinë e Policisë në Tiranë si dhe në të gjitha komisariatet ku janë dërguar qytetarë të shoqëruar nga policia pas përfundimit të protestës.

Janë verifikuar në mënyrë të përsëritur probleme në lidhje me plotësimin korrekt të regjistrave, si për sa i përket shkakut të shoqërimit ashtu edhe të dhënave për njoftimin e familjarëve apo orarëve të kryerjes së kontrolleve mjeksore.

Numri i të shoqëruarve e me pas te ndaluarve ka qenë i madh dhe ne disa raste ne limit te kapaciteteve pritëse cka e ka bere me te veshtire plotesimin korrekt të gjithë procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Në një bilanc tërësor, u konstatua se:

Në komisariatin nr.1 ishin shoqëruar 18 persona, prej të cilëve, për 7 është marrë masa e arrestit dhe të tjerët janë liruar.

Në komisariatin nr.2 rezultonin të ishin 6 persona të arrestuar, nga të cilët 1 i arrestuar ka kaluar në DVP Tiranë.

Në komisariatin nr.3 ishin shoqëruar 12 persona, nga të cilët 6 kanë kaluar në gjendje arresti.

Në komisariatin nr.4 ndodheshin 6 persona gjithsej, nga të cilët:
- 1 person i arrestuar që ka kaluar më pas në DVP Tiranë
- 4 persona në hetim ne gjendje te lirë
- 1 person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.

Në komisariatin nr.6 ndodheshin 8 persona gjithsej nga të cilët:
- 4 të arrestuar që kanë kaluar në DVP Tiranë
- 3 të arrestuar që kanë kaluar në Komisariatin nr.5
- 1 person në hetim në gjendje të lirë.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës ishin shoqeruar 16 persona, nga të cilët:
- 1 i mitur që është liruar më pas
- 12 persona të arrestuar.

Në këtë Drejtori ishin kaluar dhe 6 persona të tjerë të arrestuar nga komisariatet e përmendura më lart, pra gjithsej 18 të arrestuar.

Një nga personat e ndaluar nga policia me emrin D.K. ka referuar gjatë takimit me ekipin e Avokatit të Popullit se në kohën e hyrjes në ambientin e shoqërimit të këtij organi, pasi kishte nisur një debat me një nga punonjësit e policisë që e kishte shoqëruar, e kishin futur në tualet dhe e kishin goditur me grushta në fytyrë dhe në bark.

Në mënyrë të vazhdueshme Policia e Tiranës refuzon çdo kërkesë të punonjësve të Avokatit të Popullit për të marrë dëshmi fotografike nga personat të cilët pretendojne ushtrim dhune.

E maskuar nën pretekstin e moslejimit të telefonave celularë në mjediset e komisariateve, Avokati i Popullit ngre shqetësimin se kjo praktikë penguese po shndërrohet në një kufizim të paligjshëm i cili bie ndesh me misionin e institucionit të Avokatit të Popullit, por edhe dëshmon një qasje mosbashkëpunuese nga ana e Policisë së Shtetit.

Kjo qasje i shtohet refuzimit për të pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për t’i vënë në dispozicion maska kundër-gaz për tëbërë të mundur kryerjen e detyrës e misonit kushtetues nga ana e ndihmëskomisionerëve pa u cenuar nga përdorimi i gazit nga ana e policisë gjatë zhvillimit të protestave.

Gjithashtu, përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, në shkelje të hapur të Kushtetutës iu refuzua nga ana e zv.drejtorit të Policise së Tiranës këqyrja e pamjeve të kamerave të sistemit të monitorimit, për të verifikuar menjëherë, në vend e pa vonesë pretendimet e qytetarit D.K. për ushtrim dhune.

Nga ana e autoriteteve Policore, u ngrit fillimisht pretendimi për pamundësi teknike të zbatimit të kësaj kërkese e më pas u kërkua në mënyrë të pashpjegueshme pajisja me certifikata sigurie nga ana e punonjësve të Institucionit të Avokatit të Popullit për të parë pamjet brenda ambienteve të shoqërimit.

Kujtojmë se sipas nenit 63, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë "Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t'i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij".

Kjo e drejtë dhe detyrim i parashikuar në Kushtetutë është i pakushtëzuar nga ndonjë kufizim e në çdo rast edhe nëse do të prodhohej ndonjë akt i tillë nga çdo organ ai do të ishte qartazi antikushtetues.

Avokati i Popullit edhe në raste të tjera analoge gjatë protestave të kaluara është përballur me sjellje penguese nga ana e organeve të Policisë, prandaj ngre sot shqetësimin që kjo praktikë të adresohet urgjentisht dhe të marrë fund, pasi është në shkelje flagrante të ligjit më të lartë të vendit, Kushtetutës.

Institucioni i Avokatit të Popullit eshte garanti kushtetues përmes monitorimit aktiv e të vazhdueshëm mbi nivelin e demokracisë dhe garantimit të të drejtave civile e politike në vendin tonë, andaj është në interesin e të gjithë shoqërisë, por autoriteteve zyrtare në radhë të parë, që përballë sundimit korrekt të ligjit dhe të të drejtave që garantojnë sistemin demokratik të një vendi, të mos bëhen barrierë, por të bashkëpunojnë me këtë institucion.