30 Maj 2019

Prezantohet Në Kuvend Raporti Vjetor I Punës Së Avokatit Të Popullit


Prezantohet në Kuvend Raporti Vjetor i Punës së Avokatit të Popullit

U prezantua në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit.

Në fjalën e saj përpara ligjvënësve, titullarja e Institucionit, Erinda Ballanca u shpreh:

Jam sot këtu jo thjesht për t’ju prezantuar raportin që keni të gjithë në duar, por edhe për t’ju shprehur vendosmërinë e institucionit që unë kam privilegjin të drejtoj, për kryerjen pavarësisht të gjithave, të detyrës së vet kushtetuese, atë të mbikëqyrjes së paanshme dhe të drejtë të respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Për të folur për një shoqëri e cila është serioze në vokacionin e saj pro-demokratik, është e nevojshme jo thjesht përmbushja formale e ekzistencës së institucioneve si ky i Avokatit të Popullit. Duhet trajtim me seriozitet si dhe besim - po flas për besim të sinqertë dhe bashkëpunues - për t’i bërë këto institucione të jenë realisht dëshmi e qasjes sonë ndaj qëllimit për të cilin betohemi dhe që siç thamë është: një shoqëri demokratike.

Të mos kemi iluzionin sikur njerëzit, qytetarët tanë, nuk janë në gjendje - në mos ta shohin - së paku ta ndjejnë instiktivisht praninë e joseriozitetit në një institucion shtetëror, ekzistencën e talljes në realitetin konkret me parimet që gëlojnë në fjalimet teorike. Njerëzit nuk janë të verbër dhe tashmë koha kur propaganda mund t’ua mpinte atyre përkohësisht shqisat, ka mbaruar.
Propaganda është emri tjetër i së pavërtetës. E vërteta flet me ekzistencën e saj e si e tillë ajo nuk ka nevojë për propagandë. E maskuar si ekspertizë estetike ndaj sipërfaqes, propaganda në kushtet e lirisë është në fakt kufizuese e lirisë. E lirisë për të mësuar të vërtetën fillimisht, e më pas e vetë lirisë në plotkuptimësinë e saj.
E vërteta mund të jetë edhe një paraqitje e zymtë faktesh brenda një raporti të gjatë e pa figuracion. Mirëpo kjo është e vërteta.
Përgjatë një viti, institucioni i Avokatit të Popullit, si më i larti në renditjen e institucioneve tona kombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ka dëgjuar, mbledhur dhe shqyrtuar të vërtetat e qytetarëve shqiptarë. Ato të vërteta që janë sjellë në vëmendjen tone pikërisht prej tyre por edhe që na janë paraqitur vrullshëm nga realiteti në vend. Ky raport nuk pretendon asgjë më të bukur e asgjë më interesante se kaq.
Gjatë vitit 2018, Institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar në total 171 rekomandime drejtuar organeve të Administratës Publike duke përfshirë atë qendrore dhe vendore. Nga numri total i rekomandimeve rezulton se 93 rekomandime janë pranuar; 17 rekomandime janë refuzuar; 5 rekomandime janë pa përgjigje; dhe 56 rekomandime mbeten në proces.

Gjatë këtij viti, nga Institucioni i Avokatit të Popullit janë trajtuar në total 5516 ankesa, kërkesa dhe njoftime (duke përfshirë dhe ato të pritjes së qytetarëve), nga të cilat 2601 ankesa kanë qenë “brenda juridiksionit dhe kompetencës” dhe 2915 ankesa janë trajtuar në formën e “këshillimeve dhe orientimeve”.

Gjatë shqyrtimit të ankesave të bëra nga institucioni i Avokatit të Popullit rezultojnë se janë mbyllur 1831 ankesa, nga ku rezulton se: 173 ankesa kanë qenë jashtë juridiksionit, 290 ankesa jashtë kompetence, 556 ankesa të pabazuara, 55 ankesa prej të cilave është hequr dorë, 743(nuk e kuptoj kete shifer) Ankesa të pranuara (të zgjidhura në favor të qytetarëve), si dhe 14 ankesa të refuzuara.

Ndërkohë, ankesat e shqyrtuara sipas seksioneve janë:
Seksioni i Administratës:​886 ankesa
Seksioni i Fëmijëve: 170 ankesa
Seksioni i Veçantë:​​880 ankesa​
Seksioni i Përgjithshëm:​585 ankesa
MKPT-ja:​80 ankesa

Në krye të listës së problemeve të të drejtave të njeriut në insitucionin tonë është mungesa e një sistemi efektiv drejtësie për të garantuar të drejtat e njeriut. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e një Gjykate të Lartë efektive ka qënë problem thelbësor në garantimin e të drejtave të njeriut në vend por edhe në vijim.

Zbatimi i reformës në drejtësi është një prioritet kombëtar që duhet të sjellë rezultatet e duhura për publikun dhe këto pengesa duhet të adresohen në mënyrë të menjëhershme nga Kuvendi për të bërë të mundur realizimin efektiv të qëllimeve të reformës në drejtësi.

Të hënën sëbashku me një grup ekspertësh të huaj isha në burgun e Reç, krenaria e sistemit tonë penitenciar në të cilën ka nisur popullimin në Tetor 2018 dhe kryefjala e çdo ankese të të dënuarve ishte mungesa e Gjykatës së Lartë

Seksioni i Administratës

Marrëdhënia ndërmjet organeve publike dhe subjekteve që hyjnë në marrëdhënie me to cënohet sikundër edhe të drejtat e shtetasve, kur ekzekutimi i vendimeve gjyqësore civile dhe administrative, njeh një sërë pengesash që lidhen me mungesën e vullnetit ekzekutiv të shërbimit përmbarues, apo të mosveprimit prej organeve publike debitore.

Performanca e këtyre organeve shpesh lidhet edhe me regjime juridike që ndrydhin dhe deformojnë konceptin bazik të së drejtës, sikurse po ndodh me respektimin e së drejtës së pronës, në kuadër të kompensimit të pronave ish pronarëve.

Shumë problematikë në këtë kuadër janë miratimi i VKM-së nr.138 datë 23.02.2018, që kufizimin e së drejtës së pronësisë e kryen në papajtueshmëri me Kushtetutën, sikundër edhe VKM nr.708 datë 21.11.2018, që krijon një standard të dyfishtë në trajtimin e regjistrimit të pronave të paluajtëshme të subjekteve që disponojnë akte juridike të kalimit të pronësisë, nga shteti tek ta.

Nuk mundet që publikut t’i ofrohet kujdes cilësor shëndetësor, apo edhe të respektohet e drejta për një mjedis cilësor kur problemet e konstatuara ndër vite vazhdojnë të ekzistojnë. Ndryshimet ligjore që lidhen me të drejtën për strehim, pavarësisht pozitivitetit normues, shoqërohen me shumë problematika të mprehta në zbatim.

Seksioni i Veçantë

Lidhur me të drejtën për ndihmën juridike falas, duhet theksuar se pavarësisht hyrjes në fuqi më 1 Qershor 2018, të Ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, është konstatuar se vazhdimisht nga qytetarët ka pasur paqartësi mbi formën se si do të aplikohet ky ligj dhe procedurën që duhet të ndiqet. Shpesh, ata përcillen nga një derë institucioni në tjetrën, mes Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatave dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kjo gjendje lidhet me nevojën e krijimit të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas (që duhet të ishte ngritur brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e ligjit), si dhe të miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjit të sipërcituar.

Respektimi i të drejtave të personave të privuar nga liria, cënohet nga; mbipopullimi (pavarësisht përmirësimeve në këtë drejtim) gjë që ka bërë që administrata e burgjeve të mos i përgjigjet në kohë dhe me cilësi kërkesave të të burgosurve për trajtim mjekësor; për vuajtjen e dënimit në një institucion sa më afër vendbanimit të familjes, nga ana e të burgosurve; arsye të pabazuara të transferimit të të burgosurit në një IEVP larg vendbanimit të familjes; moszgjidhjes së çështjes së shpërblimit të punës së të burgosurve, si një masë rehabilituese, moszgjidhjes së çështjes së strehimit në një ambient spitalor jashtë sistemit të burgjeve, të personave që kanë marrë masë nga gjykata për mjekim të detyruar etj.
Përpos kompleksitetit dhe vështirësisë të të provuarit të rasteve për ushtrim dhune, fizike dhe psikologjike nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Burgjeve, ka patur raste kur është arritur të provohet ushtrimi i dhunës. Parandalimi i fenomenit të vetvrasjeve në IEVP, ka nxitur fillimin e rasteve me iniciativë nga ana e Avokatit të Popullit, duke evidentuar mungesë masash parandaluese siç edhe mungesat në organikën e personelit shëndetësor dhe social, apo edhe infrastruktura e amortizuar ose e ndërtuar jo sipas standardeve të kërkuara.

Të drejtat financiare të personelit të burgjeve, pavarësisht rekomandimeve të Avokatit të Popullit, mbeten një çështje për trajtim, me theks të veçantë në zbatimin e dispozitave të Kodit të Punës e akteve të tjera nënligjore.

Lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut nga organet e Policisë së Shtetit, vërehen problematika të pengimit të ushtrimit të së drejtës për tubim, të ushtrimit të dhunës fizike, etj. Rekomandimi i AP për përgatitjen dhe publikimin e modelarëve, për njoftimet në lidhje me ushtrimin e së drejtës së tubimit në mënyrë efektive nga qytetarët siç ia njeh ligji dhe pa pengesa administrative është pranuar nga DPPSH e në vijim të zbatimit të tij u përgatit Procedura Standarde e Punës “Planifikimi i shërbimeve të policisë gjatë zhvillimit të tubimeve”.
Është konstatuar në çështje të shqyrtuara nga ana jonë, shkelja e së drejtës së shtetasve për mos cënimin e integritetit fizik dhe të trajtimit me dinjitet, për shkak të mungesës nga ana e punonjësve të policisë, së sjelljes me korrektesë dhe etikë, të fyerjes dhe dhunimit që ata u bëjnë personave të ndryshëm, apo edhe të ushtrimit të forcës fizike ndaj tyre dhe prangosjes pa qënë nevoja.

Respektimi i të drejtave të personave të shoqëruar, ndaluar/arrestuar në njësitë policore, cënohet nga mbipopullimi i konsiderueshëm në drejtoritë e policisë dhe komisariatet ku gjenden ambiente sigurie në varësi të tyre; raste të verifikuara të keqtrajtimit fizik e psikologjik të shtetasve nga punonjësit e policisë; mosndërtimi apo mospërshtatja e ambienteve të shoqërimit sipas standardit të kërkuar; mosndërtimin apo mos përshtatja e ambienteve të sigurisë, sipas standardeve përkatëse të fushës; cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor nga disa DVP; problemet për instalimin e sistemit të monitorimit me kamera vëzhgimi në korridoret e dhomave të shoqërimit, sigurisë dhe ambientet e marrjes në pyetje të shtetasve në disa komisariate. (Afatet + Regjistrat)

Respektimi i të drejtave të njeriut nga Prokuroria, lidhet me respektimin e tërësisë së elementëve që formësojnë procesin e rregullt ligjor në aspektin e procedimit penal. Në këtë këndvështrim janë konstatuar; zvarritje të pajustifikuara të hetimit për ngjarje kriminale të filluara mbi bazën e ngjarjes, për vepra me rrezikshmëri shoqërore të madhe, të cilat në pjesën më të madhe ndiqen nga Policia Gjyqësore e Policisë së Shtetit, si dhe zvarritje të pajustifikuara të hetimit të procedimeve penale; mosrespektim i dispozitave proceduriale që parashikojnë të drejtat e palëve në procesin penal; moskthim ose kthim me vonesa të sendeve prova materiale të sekuestruara gjatë fazës së hetimit apo edhe nxjerrje me vonesë e urdhërit të ekzekutimit të vendimit penal që ka marrë formë të prerë. (Rasti i Kukësit).

Seksioni i Përgjithshëm

Qasja reale dhe përmbajtësore ndaj objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, nuk mund të kuptohet me një sistem problematik pikëzimi që përcakton kriteret e përfitimit dhe jotransparent të ndihmës ekonomike, i cili prioritet ka përjashtimin dhe jo përfshirjen reale në të të individëve dhe familjeve në nevojë. Akoma dhe më i ndjeshëm bëhet ky vlerësim kur konstatojmë një listë të gjatë të problematikave që vuajnë sot personat me aftësi të kufizuara, që përshfaqin realitetin e dhimbshëm të jetës së tyre të veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë, me mungesë integrimi dhe punësimi dhe në pritshmëri të plotë të atyre pagesave që përfitojnë nga sistemi i sigurimeve shoqërore, pa patur asnjë alternativë tjetër për përmirësimin e jetesës dhe të gëzimit të ndjesisë si pjesë vitale e një shoqërie në zhvillim. Edhe problemet e ndeshura në sistemin arsimor, veçanërisht për arsimin e lartë, kanë nxjerrë nevojën për një sistem arsimor të reformuar cilësor dhe gjithëpërfshirës, konkurues me vlerat dhe standardet bashkëkohore.
Shtresat vulnerabël dhe në risk të shoqërisë sonë, si komuniteti Rom dhe Egjyptian, personat me aftësi të kufizuara, mosha e tretë, personat LGBT, kërkojnë vetëm të drejtat e tyre dhe një trajtim më të denjë nga shteti, që padyshim në kaudër të angazhimeve ndërkombëtare të ndërmarra, nuk duhet të lërë askënd pas.

MKPT

Parandalimi i dhunës dhe torturës është paraprirë nga një plan inspektimesh në institucionet e privimit të lirisë së individit nga ku evidentohet nevoja për përmirësimin e kushteve të trajtimit të individëve që mbahen në këto institucione.
Masat përmirësuese që duhen marrë konsistojnë në; kushtet materiale tejet degraduese dhe rikonstruktimi i mjediseve në regjimet e brendshme të IEVP Zahari Krujë, IEVP Sarandë, IEVP Tepelenë, IEVP Kukës; reduktimin maksimal të mbipopullimit që megjithëse është ulur krajasuar me një vit më parë mbetet përsëri problematik; ofrimin e mundësisë për arsim; shpërblimin e drejtë për punën e kryer dhe pasqyrimin e kontributit të punës në sistemin e sigurimeve shoqërore; përmirësimin emergjent infrastrukturor në pjesën më të madhe të IEVP-ve; përmirësimin e ambienteve të kujdesit shëndetësor në burgje dhe pajisjen në kohë të të dënuarve/paraburgosurve me libreza shëndetësore apo me të dhënat elekronike në sistemin e sigurimeve shëndetësore. Në aspektin e kujdesit shëndetësor nevojiten gjithashtu masa të shpejta dhe efikase.

**

Seksioni i Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve

Veprimtaria e Institucionit të Avokatit të Popullit për të drejtat e fëmijëve gjatë vitit 2018, ka vijuar e ndërthurur në dy funksione kryesore, atë të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve.

Konstatime dhe rekomandime të Avokatit të Popullit për vitin 2018, në lidhje SMPDF janë, si më poshtë vijon:

- ngritja e shërbimeve të reja në ndjekje të dinamikës së nevojave të fëmijëve; 
- hartimi i politikave gjithëpërfshirëse sociale në nivel vendor;
- konsolidimin e mekanizmave përgjegjës që garantojnë realizimin efektiv të mbikëqyrjes, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës si dhe krijimi i sistemit të integruar të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve;
- buxhetimin real të nevojshëm nisur nga perspektiva e të drejtave të fëmijëve;
- ngritje të një infastrukture të nevojshme për zbatimin e përcaktimeve të reja ligjore;
- forcimi i punës së institucioneve në lidhje më sistemin e denoncimit dhe referimit.

Gjithashtu, referuar edhe rekomandimeve të Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë në të njëjtën linjë me AP, institucioni ynë thekson që: “paralelisht me zhvillimin e shërbimeve të bazuara në komunitet dhe shtëpitë-familje për deinstitucionalizimin e fëmijëve, autoritetet duhet të sigurojnë mbështetjen e duhur për familjet biologjike, të cilat janë të gatshme të kujdesen për fëmijët e tyre dhe t’i integrojnë ato në familje. Prandaj, Avokati i Popullit ka kërkuar përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike për të targetuar familjet e varfëra dhe fëmijët në nevojë, nëpërmjet një vlerësimi më të mirë social të kushteve të jetesës së familjeve”.

Të nderuar deputetë, kjo është vetëm një pasqyrë e shpejtë dhe e përgjithshme e problematikave që do të gjeni të detajuara në Raportin Vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Përpara se ta mbyll këtë parashtresë, do të doja vëmendjen tuaj për të dëshmuar sfidën me të vërtetë serioze me të cilën përballet Avokati i Popullit, në marrdhënien e përditshme me institucionet të cilave u adresohen rekomandimet tona.

Do t’ju lutesha të mbani parasysh se ky raport është rezultat i një përpjekjeje me të vërtetë jashtë çdo imagjinate përballë jo thjesht indiferencës nga ana e disa institucioneve për të mos kthyer përgjigje në kohë, ose në cilësinë e duhur për kërkesat dhe rekomandimet tona, por shpesh edhe një sjelljeje në kufijtë e pengimit të qëllimshëm. Një qasje kjo, që unë uroj dhe me të vërtetë do të dëshiroja që herës tjetër gjatë raportimit në Kuvend, të mos e përmendnim më.

Gjithashtu, është e rëndësishme të mbani parasysh, të nderuar ligjvënës, se ky Raport si pasqyrë e punës një-vjeçare të këtij institucioni, vjen si rezultat i përkushtimit dhe sakrificës në radhë të parë të të gjithë stafit të Avokatit të Popullit dhe modestisht edhe timit pesonalisht, në kushtet e pamjaftueshmërisë së përsëritur më se një herë të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe seriozitetin tuaj, ju uroj punë të mbarë në vijim.