Avokati I Popullit Mirëpret Këshillin Për Të Drejtat E Fëmijës Të Kosovës

Një delegacion nga Kosova, i përbërë nga anëtarë të Këshillit për të Drejtat e Fëmijës – mekanizëm ndërministror i parashikuar nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve – me përfaqësues të ministrive të linjës dhe të Zyrës së Qeverisjes së Mirë pranë Qeverisë së Kosovës, u prit sot në një takim pranë institucionit të Avokatit të Popullit nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Fatbardh Zenelaj, së bashku me përfaqësues të Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.
Takimi kishte në qendër shkëmbimin e përvojave dhe praktikave ndërinstitucionale, me synimin që Këshilli të ushtrojë sa më efektivisht mandatin e tij koordinues, monitorues dhe këshillëdhënës në fushën e të drejtave të fëmijës.
Delegacioni u njoh nga afër me rolin dhe mandatin e Avokatit të Popullit si institucioni më i lartë kombëtar për promovimin, parandalimin e shkeljeve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë tek të drejtat e fëmijës. Gjatë diskutimeve, u ndanë sfidat, praktikat e mira dhe përvojat në monitorim, mbrojtje dhe sensibilizim.
Avokati i Popullit ndau gjithashtu eksperiencën e tij si anëtar i Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, ku institucioni ka luajtur një rol aktiv në hartimin e Planit të Masave për zbatimin e Rekomandimeve të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (CRC).
Ky takim kontribuon për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, me fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.