Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Byronë E Aleancës Globale Të Institucioneve Kombëtare Për Të Drejtat E Njeriut
Në cilësinë e përfaqësueses së zgjedhur për rajonin e Evropës në Byronë e Aleancës Globale të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (GANHRI), Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në takimin e Byrosë së këtij mekanizmi global, e cila u zhvillua në Doha, Katar.
Eventi u organizua nën drejtimin e Kryetares së GANHRI, znj. Maryam bint Abdullah Al Attiyah, dhe ka mbledhur drejtues të institucioneve kryesore për të drejtat e njeriut, përfaqësues të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe rrjeteve rajonale të GANHRI.
Znj. Ballanca, në kuadër të angazhimit të saj për forcimin e të drejtave të njeriut si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, ka kontribuar në diskutime mbi:
• Strategjitë për mbështetjen, mbrojtjen dhe forcimin e institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut (NHRIs), me fokus në përputhshmërinë me Parimet e Parisit të Kombeve të Bashkuara.
• Promovimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e njohurive mes aktorëve globalë dhe rajonalë, si një element thelbësor për avancimin e të drejtave të njeriut.
Pjesëmarrja e Avokatit të Popullit në këtë takim është një dëshmi e qartë e përkushtimit të saj për të avancuar standardet e të drejtave të njeriut dhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë si një aktor aktiv në promovimin e vlerave universale të drejtësisë dhe barazisë.
Ky takim përfshiu ekskluzivisht anëtarët e zgjedhur të Byrosë së GANHRI, duke adresuar rolin dhe përgjegjësitë e tyre të larta në përfaqësimin e rajoneve përkatëse.