Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në 30-Vjetorin E Krijimit Të Institucionit Të Ombudsmanit Të Sllovenisë
Me rastin e 30-vjetorit të krijimit të Institucionit të Ombudsmanit të Sllovenisë, u zhvillua në Bled, një konferencë ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e personaliteteve të nivelit të lartë dhe institucioneve nga e gjithë bota, duke reflektuar rëndësinë globale të çështjeve të diskutuara.
Ky aktivitet kishte si qëllim vlerësimin e efektivitetit të institucioneve të Ombudsmanit dhe të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNj), adresimin e sfidave bashkëkohore të të drejtave të njeriut dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Diskutimet u përqendruan në çështje si digjitalizimi, inteligjenca artificiale, migracioni, kriza klimatike dhe sfidat e shoqërive në plakje.
Në këtë kontekst, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë si moderatore në panelin me temë: “Roli i Institucioneve të Ombudsmanit dhe IKDNJ-ve në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Epokën Digjitale”. Diskutimet në panel u fokusuan në ndikimin e transformimit digjital mbi të drejtat e njeriut dhe rëndësinë e adoptimit të qasjeve inovative për rritjen e efektivitetit të këtyre institucioneve në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave.
Konferenca shërbeu si një platformë për ndarjen e praktikave të suksesshme dhe strategjive për t’u përballur me sfidat në rritje ndaj të drejtave të njeriut, duke forcuar rolin e institucioneve në një mjedis global të ndryshimeve të shpejta.