Përkrahje Për Viktimat E Dhunës, Që Zëri I Tyre Të Mos Ngelë I Padëgjuar
Avokati i Popullit mbështet fuqimisht të gjitha viktimat e dhunës, në mënyrë që ato të marrin kujdesin e duhur institucional.
Në këtë kuadër, z. Endrit Shabani ju bashkua dialogut me gra e vajza të cilat rrëfyen sfidat e tyre teksa përballen jo vetëm me dhunuesit, por shpesh herë edhe me indiferencë institucionale.
Ai e shfrytëzoi këtë platformë për t’ju kujtuar të gjithëve dera jonë është gjithmonë e hapur.
‘Vizioni im është që Institucioni i Avokatit të Popullit të mos jetë një zyrë arkive ku mblidhen letra, ankesa dhe raporte, por të jemi zëri i qytetarëve të pambrojtur, pikërisht atëherë kur shteti mbyll veshët dhe sytë përballë padrejtësive.
Në mbyllje, dua t'ju kujtoj diçka që të gjithë e dimë: forca e një shteti dhe pjekuria e një shoqërie nuk matet me mënyrën se si trajton të fortët, apo ata që janë shumica; por me sigurinë, dinjitetin dhe mbrojtjen që i ofron qytetarit të tij më të dobët, dhe atij që qëllon të jetë në pakicë’,-tha ndër të tjera z. Endrit Shabani.
Gjatë kësaj tryeze u prezantua raporti mbi dhunën me bazë gjinore ndaj grave lezbike, biseksuale dhe transgjinore (LBT) në Shqipëri, i kryer nga Aleanca LGBTI dhe Asociacioni Ndërkombëtar për të Drejta të Barabarta të LGBTI – ERA.