Situata Mbi Të Drejtat E Njeriut, Temë E Takimit Mes Avokates Së Popullit Dhe Znj. Amelia Hintzen, Oficere E Re Politike Në Ambasadën Amerikane.
Avokatja e Popullit priti në një takim Oficeren e re Politike në Ambasadën Amerikane, Znj. Amelia Hintzen, e cila mbulon edhe çështjet e të drejtave të njeriut.
Takimi kishte për qëllim diskutimin e përgjithshëm mbi situatën, sfidat dhe nismat konkrete me qëllim forcimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë.
Znj. Hintzen e përgëzoi Avokaten e Popullit për punën dhe angazhimin e deritanishëm, ndërsa vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut.
Diskutimi u thellua edhe në cështje të ndjeshme aktualisht në vendin tonë sikurse situata në sistemin penitenciar (me fokus në në sistemimin e grave dhe vajzave që vuajnë dënimin), liria e shprehjes, të drejtat e minoriteteve, barazinë gjinore, etj.
Avokati i Popullit falënderoi Znj. Hintzen për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës Amerikane dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej partneritetin me qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Znj. Hintzen vlerësoi përpjekjet e Avokatit të Popullit dhe shprehu angazhimin e Ambasadës Amerikane për të mbështetur iniciativat dhe projektet që synojnë përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në vend.