Reagimi I Avokatit Të Popullit Mbi Aksidentin Me 8 Viktima, Emigrantë Të Jashtëligjshëm
Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima.
Emigrimi i jashtëligjshëm është një sfidë mbarëbotërore dhe çështje e ndjeshme për shoqërinë në tërësi, me të cilën po përballemi fort në dekadën e fundit edhe në vendin tonë.
Ka shumë arsye që njerëzit vendosin të emigrojnë, përfshirë shkëputjen nga konfliktet, kërkesën për mundësi të reja punësimi dhe dëshirën për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe të familjes.
Kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin. Adresimi në nivel global i çështjes së migracionit duke trajtuar shkaqet në origjinë, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme.
Forcimi i ligjit dhe zbatimin e tij, krijimi i mundësive legjitime për emigracion dhe azil, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për të adresuar shkaqet themelore të emigrimit të paligjshëm janë çështjet që duhen adresuar me prioritet.
Është e rëndësishme që politikat dhe ligjet të mbrojnë të drejtat e emigrantëve dhe të sigurojnë që ata të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Përsa më sipër, Avokati i Popullit ka hartuar disa raporte dhe ka dhënë rekomandime ku ka adresuar çështje me rëndësi mbi këtë temë.
Kjo ngjarje duhet të na kujtojë për rëndësinë e jetës dhe nevojën për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën njerëzore në çdo rrethanë.