29 Maj 2024

Reagim Për Dhunën Ndaj Avokatit Sokol Mengjesi


REAGIM PËR DHUNËN NDAJ AVOKATIT SOKOL MENGJESI

Avokati i Popullit dënon me forcë aktin e dhunës së ushtruar sot ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Ky akt është një sulm i rëndë ndaj profesionit të avokatit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, duke minuar parimet themelore të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.

 

Dhuna ndaj avokatëve është e papranueshme dhe përbën një kërcënim serioz për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Avokatët luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të individëve dhe në sigurimin e një procesi të drejtë gjyqësor. Sulmet ndaj tyre cënojnë jo vetëm integritetin e tyre fizik dhe profesional, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

 

Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet përkatëse një hetim të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm të këtij incidenti, duke kërkuar ndjekjen penale të autorëve dhe sigurimin e mbrojtjes së duhur për avokatët në ushtrimin e detyrës së tyre. Nevojitet një qëndrim i fortë dhe i vendosur për të garantuar që të gjitha aktet e dhunës dhe kërcënimit ndaj avokatëve të ndëshkohen në përputhje me ligjin.

 

Avokati i Popullit qëndron në solidaritet me avokatin Sokol Mëngjesi dhe me të gjithë avokatët që përballen me sfida dhe rreziqe në përmbushjen e detyrave të tyre profesionale.