4 Korrik 2024

Reagim I Avokates Së Popullit Për Humbjen E Jetës Së Shtetasit Pal Trashajt


Reagim i Avokates së Popullit për humbjen e jetës së shtetasit Pal Trashajt

Një ngjarje e rëndë u shënua disa ditë më parë, pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku Pal Trashaj, 63 vjeç, në gjendje të rëndë psikologjike për shkak të problemeve të tij me mikrokreditë, ndërroi jetë pasi piu fostoksinë.

 

 

Pavarësisht vendit ku ndodhi akti tragjik, ngjarja nuk duhet të humbasë fokusin. Është thelbësore të kuptohet se nevoja e personit për të adresuar situatën e tij duhet të gjejë zgjidhje duke trajtuar shkaqet e problemit, në mënyrë që fenomene të tilla të mos përsëriten. Edhe pse SPAK nuk është institucioni përgjegjës për këtë problematikë, është e rëndësishme që qytetarët të mos ndihen të pafuqishëm në adresimin e shqetësimeve të tyre.

 

 

Për më tepër, në marrjen e mikrokredive duhet të jenë të qarta rreziqet e tyre, duke ofruar informacion të plotë dhe mbështetje për të parandaluar situata të ngjashme.

 

 

Ngjarja bëhet edhe më e trishtë duke marrë në konsideratë kalvarin e përpjekjeve të tij për të kërkuar drejtësi, derisa u dorëzua për shkak se nuk gjeti zgjidhje dhe ndërmori këtë akt të rëndë.

 

 

Ky rast tragjik nxjerr në pah jo vetëm vulnerabilitetin e qytetarëve ndaj sistemeve të kredive të vogla, por edhe papërshtatshmërinë e masave që nuk trajtojnë problemin në thelb dhe në origjinë.

 

 

Avokati i Popullit ndonëse nuk ka mandat për trajtimin e ankesave në sektorin privat, ka ushtruar presion pozitiv për zbatimin e drejtë dhe të ndershëm të procedurave përmbarimore.

 

 

Gjithashtu Avokati i Popullit bën thirrje për një rishikim të praktikave të mikrokredive dhe përforcimin e mekanizmave mbrojtës për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. ‎