24 Korrik 2024

Reagim I Ap Mbi Kushtet E Punës Së Punonjësve Në Industrinë E Turizmit Në Vend


Reagim i AP mbi kushtet e punës së punonjësve në industrinë e turizmit në vend

Në përgjigje të raportimeve mediatike mbi kushtet e punës së punonjësve në industrinë e turizmit në vend, Institucioni i Avokatit të Popullit dëshiron të bëjë të qartë qëndrimin e tij, në përputhje me mandatin kushtetues.

 

Avokati i Popullit është një institucion i pavarur kushtetues që mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme të organeve publike dhe të tretëve që veprojnë për llogari të tyre. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se subjekte private, përfshirë ato në industrinë e turizmit, nuk janë nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Avokatit të Popullit për hetime.

 

 

Megjithatë, kur ka pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut nga këto subjekte, Avokati i Popullit vepron duke adresuar këto shqetësime tek autoritetet publike përgjegjëse për mbikëqyrjen e sektorit privat. Sipas ligjit që rregullon veprimtarinë e institucionit tonë, procedurat e shqyrtimit fillojnë kur vërehet ose dyshohet për një shkelje, qoftë në bazë të ankesave të individëve të prekur, apo me nismë të vetë institucionit për raste të veçanta.

 

 

Në këtë rast, pasi u njohëm me problematikën e raportuar, Avokati i Popullit do të nisë menjëherë një hetim administrativ për të kërkuar nga autoritetet përkatëse verifikimin e kushteve të punës në industrinë e turizmit, duke kryer inspektime për

 

të evidentuar shkelje eventuale të të drejtave të njeriut. Nëse gjatë hetimit konstatohet mosveprim nga ana e këtyre institucioneve, do të ndërmerren masa administrative dhe ligjore për të adresuar këto mangësi.

 

 

Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut në vendin tonë.