Publikohet Rekomandim Mbi Gjuhën E Urrjejtes
Equinet – the European Network of Equality Bodies, Rrjeti Europian i Organeve të Barazisë, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi️ prezantuan “Rekomandimin mbi Luftën kundër Diskriminimit dhe Gjuhës së Urrejtjes në fushata zgjedhore", rekomandim ky i cili u përpilua nga Equinet dhe u përkthye nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
10 rekomandimet e EQUINET janë shumë të nevojshme për tu ndjekur nga të gjitha subjektet zgjedhore️ dhe monitoruar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe organizatat e shoqërisë Civile, për të krijuar sinergjinë e promovimit të parimit të mosdikriminimit, të barazisë dhe të tolerancës.
Rekomandimi i plotë në vijim:
REKOMANDIM MBI LUFTËN KUNDËR DISKRIMINIMIT DHE GJUHËS SË URREJTJES NË FUSHATA ZGJEDHORE
Equinet, Rrjeti Europian i Organeve të Barazisë: Duke u mbështetur në parimin sipas të cilit trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi janë themelet e sistemit universal të të drejtave të njeriut si edhe në parimet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian; Duke njohur dhe pranuar se e drejta për barazi dhe mosdiskriminim është e vetmja e drejtë e përcaktuar në të nëntë traktatet kryesore të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe është gjithashtu subjekt i legjislacionit të detyrueshëm dhe jurisprudencës së konsoliduar në nivelet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Europian; Duke u mbështetur në faktin se organet e barazisë janë institucione shtetërore të pavarura të themeluara në Europë për të promovuar barazinë, për të luftuar diskriminimin dhe shqetësimin dhe shpesh kanë mandat për t'u marrë me gjuhën e urrejtjes; Duke nënvizuar se organet e barazisë janë organizma të dedikuar dhe të posaçëm për të promovuar barazinë dhe mosdiskriminimin në të gjitha fushat e jetës; Duke njohur dhe pranuar parimin sipas të cilit liria e shprehjes është një nga të drejtat më themelore të njeriut dhe e cila ka vlerë për tu aplikuar jo vetëm në rastin e "informacioneve" ose "ideve" të cilat konsiderohen të favorshme, të padëmshme apo ndaj të cilave mund të jemi indiferentë, por edhe për ato “informacione” apo “ide” të cilat krijojnë shkelje, tronditje apo trazira ndaj nocionit të Shtetit apo të një sektori të popullatës; gjithashtu duke u mbështetur në parimin sipas të cilit liria e shprehjes nuk është absolute dhe është e nevojshme të parandalohet gjuha e urrejtjes, e përkufizuar si çdo formë e shprehjes nëpërmjet të cilës përhapet, nxitet, promovohet ose justifikohet urrejtja e bazuar në intolerancë; Duke njohur dhe pranuar marrëdhëniet ndërmjet diskriminimit, formave të ngacmimit dhe gjuhës së urrejtjes; Duke ju referuar raportimeve mbi shqetësimin rreth numrit në rritje të fushatave zgjedhore në Europë të cilat janë të ndotura nga përdorimi i një gjuhe që etiketon “fajtorë-pa-faj” dhe diskriminon, apo nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të caktuara të shoqërisë, shpesh e justifikuar thjesht si shprehje të mendimeve personale madje edhe si preokupime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Duke njohur dhe pranuar se diskriminimi, shqetësimi, gjuha e urrejtjes dhe ideologjitë apo diskurset në fushata zgjedhore që bazohen në ide ose teori të superioritetit të qenësishëm të një grupi personash për shkak të karakteristikave të tyre personale, janë drejtpërdrejtë dhe domosdoshmërisht kontradiktore me parimet demokratike dhe janë në gjendje të minojnë vlerat themelore të shteteve demokratike dhe traditat tona të përbashkëta kushtetuese.
Equinet jep Rekomandimet e mëposhtme:
Parimi i përgjithshëm i barazisë
1- Mos-diskriminimi dhe një ambicie për barazi thelbësore janë gur-themelet e demokracive Europiane dhe fushatat zgjedhore janë terrene shumë të rëndësishme për të provuar se deri në çfarë mase jemi të angazhuar ndaj këtyre parimeve.
2- Trajtimi i barabartë dhe mos-diskriminimi janë standarde të përbashkëta minimale dhe duhen respektuar nga të gjithë, pavarësisht nga rrethanat, duke përfshirë edhe periudhat e fushatave zgjedhore.
3- Partitë politike dhe organet e medias duhet shqyrtojnë miratimin apo të mbështeturit në Kode të Sjelljes për Fushatat Zgjedhore në të cilat ekzistojnë rregulla mbi diskriminimin, ngacmimin dhe gjuhën e urrejtjes.
Ndalimi i diskriminimit
4 - Partitë politike dhe kandidatët, si dhe njerëzit që punojnë për ta, duhet të refuzojnë, në programet dhe fushatat e tyre, të përdorin gjuhë diskriminuese ose të propozojnë politika dhe ligje diskriminuese, të shprehin ose mbështesin ide apo teori të superioritetit të një grupi personash bazuar në racën, origjinën etnike, fenë, gjininë, moshën, orientimin seksual, identitetin gjinor, aftësinë e kufizuar si edhe karakteristika të tjera personale të mbrojtura apo një kombinim të tyre.
5 - Organet mediatike, në mbulimin e fushatave zgjedhore nga ana e tyre, duhet të refuzojnë të përdorin apo të mbështetin gjuhë diskriminuese apo politika, ide dhe teori të superioritetit të një grupi personash bazuar në racën, origjinën etnike, fenë, gjininë, moshën, orientimin seksual, identitetin gjinor, aftësinë e kufizuar dhe karakteristika të tjera personale të mbrojtura apo një kombinim të tyre. Raportimet mbi këto çështje dhe pasqyrimet e deklaratave në fushata zgjedhore duhet të bëhen në mënyrë të përgjegjshme, me shpjegimet e duhura si edhe reflektime kritike mbi kontekstin në të cilin janë thënë.
Gjuha e Urrejtjes
6 - Partitë politike dhe kandidatët, si dhe njerëzit që punojnë për to, në programet dhe fushatat e tyre, duhet të refuzojnë, të përdorin apo të mbështesin një një gjuhë e cila mund të arrijë të konsiderohet gjuhë urrejtje.
7 - Organet mediatike, në mbulimin e fushatave zgjedhore nga ana e tyre, duhet të refuzojnë të përdorin apo të mbështesin gjuhë urrjetjeje. Raportimi, mbi përdorimin e gjuhës në fushata zgjedhore e cila mund të konsiderohet gjuhë urrjetjeje duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, me shpjegime të duhura dhe reflektime kritike mbi kontekstin. Adresimi i temave të ndjeshme
Adresimi i temave të ndjeshme
8 - Partitë politike dhe kandidatët, si dhe njerëzit që punojnë për to, duhet të trajtojnë me përgjegjshmëri dhe në mënyrë të drejtë temat e ndjeshme në lidhje me grupet e përcaktuara nga karakteristika të përbashkëta dhe personale të mbrojtura, për të shmangur stigmatizimin e tyre.
9 - Organet mediatike, në mbulimin e fushatave zgjedhore nga ana e tyre, duhet të trajtojnë me përgjegjshmëri dhe në mënyrë të drejtë temat e ndjeshme në lidhje me grupet e përcaktuara nga karakteristika të përbashkëta dhe personale të mbrojtura, për të shmangur stigmatizimin e tyre. Raportimi për tema të tilla të ndjeshme duhet shoqëruar me shpjegime të duhura dhe reflektime kritike mbi kontekstin.
Përfaqësimi i barabartë në listat zgjedhore
10 - Partitë politike duhet të marrin në konsideratë zbatimin e praktikave dhe politikave për të arritur në listat e tyre zgjedhore një përfaqësim i cili pasqyron diversitetin e njerëzve në shoqëri, në të gjitha nivelet, madje edhe në rastet kur mungon një detyrim i shprehur ligjor për ta bërë një gjë të tillë.
--
*Për qëllimet e këtij rekomandimi, gjuha e urrejtjes, sipas formulimit te Rekomandimit të Përgjithshëm të Politikave nr. të Komisionit Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës për Luftimin e Gjuhës së Urrejtjes, do të kuptohet si mbrojtje, promovim ose nxitje, në çdo formë, e denigrimit, urrejtjes ose shpifjes ndaj një personi ose grupi personash, si dhe çdo ngacmimi, ofendimi, stereotipizimi negativ, stigmatizimi ose kërcënimi në lidhje me këtë person apo grup personash dhe justifikimi i të gjitha llojeve të mëparshme të shprehjes, bazuar në "racë", ngjyrë, prejardhje, origjinë kombëtare ose etnike, moshë, aftësi të kufizuar, gjuhë, fe ose besim, seks, gjini, identitet gjinor, orientim seksual dhe karakteristika të tjera personale ose status.
** Për qëllimet e këtij rekomandimi, një temë e ndjeshme nënkupton çdo temë që përdoret, në mënyrë rutinore, në retorikë diskriminuese dhe intolerante ose gjuhë urrejtjeje ndaj grupeve të caktuara. Tema te ndjeshme mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në, masat e mbrojtjes sociale, përfitimet e papunësisë ose statistikat kriminale.
Equinet është Rrjeti Europian i Organeve të Barazisë, një organizatë anëtarësimi që bashkon 49 organe barazie nga 36 shtete europiane duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Organet Kombëtare të Barazisë janë organizata publike që asistojnë viktimat e diskriminimit, monitorojnë dhe raportojnë çështjet e diskriminimit dhe kontribuojnë në ndërgjegjësimin e të drejtave dhe vlerësimin shoqëror të barazisë. Ato janë ligjërisht të detyruara ta bëjnë këtë në lidhje me një, disa ose të gjitha shkaqet e diskriminimit të mbuluara nga legjislacioni i Bashkimit Evropian (BE) - gjinia, raca dhe etnia, mosha, orientimi seksual, feja ose besimi dhe aftësia e kufizuar.