Përurohet Ievp-Ja E Re Për Gratë Dhe Vajzat Në Konflikt Me Ligjin
Gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin tashmë do të qëndrojnë një një strukturë të re të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në Pojskë, Pogradec.
E pranishme në këtë ceremoni, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, z. Klevis Qose, vlerësoi hapjen e këtij institucioni bashkëkohor, i cili është në përputhje me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës.
Ballanca theksoi në fjalën e saj se qëllimi kryesor i sistemit penitenciar është riedukimi i personave në konflikt me ligjin, duke u ofruar atyre mundësi për një jetë të re dhe më të mirë pas përfundimit të dënimit.
“Ky riedukim realizohet përmes arsimimit dhe trajnimeve profesionale, të cilat ndihmojnë të dënuarit të zhvillojnë aftësi të reja dhe të përgatiten për të ardhmen. Kjo qasje synon t'u japë atyre shpresë dhe mundësi për një fillim të ri, duke i mbështetur të reintegrohen në shoqëri si qytetarë të përgjegjshëm dhe të vlefshëm”, u shpreh Avokatja e Popullit.
Gjatë inagurimit, të ftuarit patën mundësinë të njihen me workshop-et edukative dhe profesionale për të dënuarit, ndërsa Avokatja e Popullit, riafirmoi angazhimin e saj për të mbështetur reformat në sistemin penitenciar dhe për të siguruar që të gjitha institucionet të respektojnë të drejtat themelore të njeriut.
Një tjetër lajm pozitiv gjatë kësaj ceremonie ishte dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet Drejtorisë së Burgjeve dhe Ambasadës Britanike për përmirësimin e kushteve të IEVP Fushë Krujë.