20 Shkurt 2024

Protesta E 20 Shkurtit, Avokatit I Popullit Monitorim Në Terren Gjatë Zhvillimit Të Saj


Protesta e 20 Shkurtit, Avokatit i Popullit monitorim në terren gjatë zhvillimit të saj

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar protestën e organizuar nga opozita në Tiranë.

 

Në terren përgjatë gjithë kësaj proteste kanë qenë 4 grupe monitoruese, e më tej pas përfundimit të protestës janë monitoruar të gjitha komisariatet e Tiranës.

 

Përsa më sipër Avokati i Popullit bën me dije sa më poshtë vijon:

 

Protesta është zhvilluar përgjithësisht në një klimë paqësore, përtej disa incidenteve të lokalizuara, gjatë ecurisë së saj.

 

Nga monitorimi i kryer në komisariate ka rezultuar se deri në orën 22:00 ka pasur 11 të shoqëruar, vetëm në Komisariatin nr.1, të gjithë persona madhorë, ndërsa në komisariatet e tjera nuk ka pasur të shoqëruar.

 

Mes të shoqëruarve, një nga këta shtetas pretendon se është dhunuar gjatë kësaj proteste nga policë civilë, në momentin e ndalimit.

 

Shtetasi A.M kishte shenja të dukshme lëndimi në fytyrë, enjtje dhe mavijosje në syrin e majtë dhe Avokati i Popullit i mori një ankesë e cila do të trajtohet në vijim.

 

Avokati i Popullit thekson se e drejta e protestës paqësore është një e drejtë thelbësore, e njohur dhe e garantuar nga Kushtetuta.