3 Tetor 2024

Pjesëmarrja E Avokates Së Popullit Në Forumin Ndërkombëtar Për Ndryshimet Klimatike


Pjesëmarrja e Avokates së Popullit në Forumin Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Ombudsmanëve në Baku, me temë: "Ndryshimet Klimatike dhe të Drejtat e Njeriut: Roli i Ombudsmanëve dhe Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut."

Ky forum u organizua në kuadër të përgatitjeve për COP29, një ngjarje ndërkombëtare madhore mbi ndryshimet klimatike, që do të zhvillohet në Azerbajxhan.

Gjatë sesionit plenar, me fokus në “Perspektivat e Bashkëpunimit dhe Zhvillimin e Përbashkët”, znj. Ballanca adresoi një fjalim të rëndësishëm mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në të drejtat e njeriut.

Znj. Ballanca prezantoi një përmbledhje të ngjarjeve kyçe që kanë ndikuar në zhvillimin e jurisprudencës ndërkombëtare dhe legjislacionit të çështjeve mjedisore dhe klimatike, ndërsa theksoi se këto vendimmarrje përfaqësojnë zhvillime të rëndësishme ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe klimës, duke forcuar përgjegjësitë e shteteve për të garantuar të drejtat mjedisore të qytetarëve.

Gjithashtu, znj. Ballanca theksoi rolin kyç që kanë Ombudsmanët dhe Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNJ), jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave themelore, por edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për qytetarët.

Më tej, diskutimi i Avokates së Popullit u fokusua te ndikimet konkrete të ndryshimeve klimatike në Shqipëri dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për përballimin e këtyre sfidave, përfshirë përmirësimin e legjislacionit dhe angazhimet ndërkombëtare.

Në përfundim, znj. Ballanca riafirmoi përkushtimin e Institucionit të Avokatit të Popullit për të monitoruar dhe garantuar të drejtën për një mjedis të shëndetshëm në Shqipëri, duke promovuar veprimet e duhura në mbrojtje të qytetarëve dhe të ardhmes së tyre.