4 Shtator 2026

Pensionet, Diplomat Dhe Mjekimi I Qytetarëve Bllokohen Për Vite Mes Administrateve Të Ballkanit, Avokati I Popullit Propozon Në Stamboll Trajtim Me Përparësi Të Këtyre Ankesave


Pensionet, diplomat dhe mjekimi i qytetarëve bllokohen për vite mes administrateve të Ballkanit, Avokati i Popullit propozon në Stamboll trajtim me përparësi të këtyre ankesave

Stamboll-Endrit Shabani, në cilësinë e Presidentit të Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut, mori pjesë sot në Forumin e Avokatëve të Popullit të Ballkanit në Stamboll. Forumi u organizua nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Turqisë dhe u hap nga Guvernatori i Stambollit, Davut Gül.

Avokati i Popullit të Shqipërisë paraqiti aty memorandumin trepalësh tashmë në fuqi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe kërkoi zgjerimin e tij në të gjithë Ballkanin.

Shabani e ilustroi problemin me rastin e një emigranti shqiptar, dosja e pensionit të të cilit qëndroi e bllokuar për vite mes dy administratave. 

"Të dhënat e telefonit të tij e kalojnë kufirin në një sekondë. Dosja e pensionit nuk e kalon dot në vite. Askush nuk troket në derën tonë për memorandume, njerëzit kërkojnë zgjidhje," -tha Shabani.

"Kemi shumë forume për t'u takuar, por shumë pak procedura për të përballuar sfidat e përbashkëta. Nuk na duhen struktura të reja, na duhen mekanizma pune brenda strukturave që kemi," -tha Avokati i Popullit të Shqipërisë.

Shabani u propozoi institucioneve të rajonit ngritjen e një praktike të përbashkët për referimin e ankesave, dhe një deklaratë të përbashkët vjetore mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rajon.