5 Shkurt 2025

Partneriteti Mes Avokatit Të Popullit Dhe Shoqërisë Civile, Ballanca Merr Pjesë Në Konferencën Rajonale


Partneriteti mes Avokatit të Popullit dhe Shoqërisë Civile, Ballanca merr pjesë në konferencën rajonale

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në Konferencën Rajonale të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut: “Rritja e Partneritetit ndërmjet Institucioneve të Ombudsmanëve dhe Shoqërisë Civile për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut”.

Gjatë fjalës së saj, znj. Ballanca vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në këtë konferencë, duke theksuar se një dialog i tillë është thelbësor për forcimin e mekanizmave mbrojtës të të drejtave të njeriut.

Ajo nënvizoi rolin e dyfishtë që ka Institucioni i Avokatit të Popullit: si një institucion që është vetë mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe, njëkohësisht, si pikë fokale kombëtare për mbrojtësit e të drejtave të njeriut në vend. Ky pozicion e bën institucionin një hallkë kyçe në forcimin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Ndërsa e vuri theksin te rëndësia e akreditimit, i cili garanton që një institucion përmbush standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe siguron legjitimitet dhe besueshmëri në nivel global, gjithashtu, ajo theksoi se institucioni i Ombudsmanit ka një rol pararojë në krijimin e standardeve të reja. Sipas saj, zhvillimi i vazhdueshëm i institucioneve duhet të mbështetet në aktivizëm dhe një besim të ndërtuar mbi rezultate konkrete.

Në një botë që sot po përjeton tronditje të thella, përfshirë edhe vendet që tradicionalisht kanë qenë model i standardeve më të larta për të drejtat e njeriut, znj. Ballanca theksoi se bashkëpunimi i bazuar në vlera dhe merita mbetet mënyra e vetme për të avancuar në këtë fushë.

Ajo solli në vëmendje se ekzistojnë organizata dhe grupe me qasje të ndryshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë komunitetin LGBTQI dhe grupet e fokusuar në vlerat tradicionale familjare, duke theksuar nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e këtyre çështjeve.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i angazhuar në forcimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe rajon.