23 Shtator 2019

Avokati I Popullit Përshëndet Samitin E Okb-Së Për Klimën Dhe Bën Thirrje Për Veprim


AVOKATI I POPULLIT PËRSHËNDET SAMITIN E OKB-SË PËR KLIMËN DHE BËN THIRRJE PËR VEPRIM

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri e përshëndet zhvillimin e Samitit të OKB-së për Klimën që u mbajt në Nju Jork dhe çmon se e drejta për të jetuar në një botë me mjedis të shëndetshëm është një e drejtë njerëzore e cila meriton të respektohet po aq sa çdo e drejtë tjetër.

Samiti i OKB-së për klimën u zhvillua ditën e sotme në praninë e mbi 60 udhëheqësve botërorë në përpjekje për të nxitur organizimin e veprimeve konkrete për t’i dhënë fund përkeqësimit të vazhdueshëm të klimës dhe kushteve të jetës në planetin ku jetojmë.

Prej vitesh janë të shumta thirrjet alarmuese nga ana e organizatave të mbrojtjes së mjedisit dhe aktorëve të ndryshëm shoqërorë të cilat kërkojnë që lidershipi botëror të angazhohet seriozisht dhe konkretisht në veprime që do të ndalin ndikimet negative që kanë mbi klimën planetare veprimtaritë njerëzore, industriale dhe ekonomike.

Edhe pse situata duket se është vit pas viti në degradim, teksa akullnajat po shkrijnë me shpejtësi shumë më të lartë se më parë, sipërfaqet pyjore po shfarosen në shkallë të gjerë nga zjarret dhe shpyllëzimi, sërish ende udhëheqësit politikë të vendeve të ndryshme me ndikim ngurrojnë të ndërmarrin hapat që do ta ndalnin katastrofën që po projektohet.

Shqipëria është gjithashtu një nga vendet që po e vuan shkatërrimin mjedisor, ashpërsimin e klimës dhe fatkeqësitë natyrore që lidhen me të. Avokati i Popullit mbetet i angazhuar për të ushtruar gjithë ndikimin dhe energjinë e vet për ta nxitur vendimmarrjen në Shqipëri të bëjë atë që është e mundur për të mos sjellë dëmtime të mëtejshme.

Nëse botën do ta shohim si një mozaik të madh, kontributi i secilit vend, sado të vogël, mund të shërbejë si një gur që ka vendin e vet në pikturën e përgjithshme të veprimit global në ndihmë të ndaljes së ndikimeve negative mbi klimën.