2 Qershor 2026

Avokati I Popullit: Rendi Publik Është Përgjegjësi E Shtetit, Jo E Kompanive Private


Avokati i Popullit: Rendi publik është përgjegjësi e shtetit, jo e kompanive private

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, deklaroi sot në Shkodër se garantimi i të drejtës kushtetuese për protestë i takon vetëm shtetit dhe nuk mund t’i kalohet policisë private. Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Vlorë dhe Shkodër, ai theksoi se monitorimi i protestave nga kompani private cenon vetë thelbin e të drejtave kushtetuese.

“Policia private vepron brenda një kuadri ligjor për sigurinë e objekteve private, por siguria publike është detyrim kushtetues i Policisë së Shtetit dhe nuk mund t’i lihet sektorit privat. Nëse protestat i monitoron policia private, nuk mund të garantojmë të drejtat kushtetuese. Policia private nuk duhet të dalë kurrë nga monitorimi i Policisë së Shtetit”,-tha Shabani.

Deklarata u bë gjatë një forumi dialogu që Avokati i Popullit organizoi në Shkodër mes qytetarëve, shoqërisë civile, pushtetit vendor dhe drejtuesve rajonalë të institucioneve publike.

Pas fjalëve përshëndetëse, qytetarët shprehën drejtpërdrejt shqetësimet e tyre te drejtuesit e institucioneve, duke kërkuar llogari për shërbimet e marra apo të drejtat e shkelura. U trajtuan çështje si mos-zbatimi i vendimeve gjyqësore, problemet e pronave, investimet e munguara në zonat rurale, mungesa e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, dhe dëmtimi i trashëgimisë kulturore.

Drejtuesit vendorë e cilësuan Avokatin e Popullit si partner kryesor në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda, theksoi se adresimi në kohë i ankesave duhet të jetë prioriteti më i lartë i institucioneve, ndërsa zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cilësoi raportin vjetor të Avokatit të Popullit si matës të punës së pushtetit vendor.

"Besimi i qytetarëve nuk përkon gjithmonë me nivelin e reformave, pasi synimi final duhet të jetë shërbimi efiçent në kohë. Duhet të forcojmë kulturën e shërbimit, përgjegjshmërinë dhe aksesin e barabartë. Adresimi në kohë i ankesave të qytetarëve duhet të jetë prioriteti më i lartë për institucionet, pavarësisht ngarkesës dokumentare",-tha Duda. 

 "Është e papranueshme që një qytetar të mos marrë përgjigje për një kërkesë të protokolluar.  Raporti i Avokatit të Popullit na ndihmon të reflektojmë mbi atë që duhet bërë më mirë. Për ne, qytetari mbetet në qendër dhe qeverisja matet me aftësinë për të mos përjashtuar askënd, pavarësisht përkatësisë apo komunitetit",-u shpreh Qyteza. 

Rektori i Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj e konsideroi dialogun mes institucioneve dhe qytetarëve si standard demokratik. 

"Dialogu duhet parë si një shprehi shoqërore dhe demokratike që duhet të jetë i përhershëm midis qytetarëve dhe institucioneve në të gjitha nivelet. Ai duhet të jetë pjesë e veprimeve tona të përditshme dhe jo diçka e imponuar, por si pjesë e edukimit",-tha Gjuraj. 

Forumit ju bashkua edhe Drejtori i Policisë së qarkut Shkodër, Gentian Berberi, i cili ju përgjigj i interesimit të qytetarëve për çështje të sigurisë. 

"Policia e Shtetit ka një politikë të vazhdueshme për të rritur standardet, veçanërisht në trajtimin e personave të shoqëruar. Në Shkodër kemi një komunikim të përditshëm me qytetarët; Shkodra komunikon, ankohet dhe kërkon, gjë që ne e shohim si pozitive,"-tha Berberi. 

Në përfundim, Endrit Shabani falënderoi qytetarët për aktivizimin e tyre dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve të pranishëm, duke theksuar se hetimet e Avokatit të Popullit nuk janë për qëllim të kritikojnë institucionet, por të ofrojnë zgjidhje për qytetarët.