Miratimi I Rezolutës, Kombet E Bashkuara Riafirmojnë Mbështetjen E Tyre Për Institucionet E Avokatit Të Popullit
Institucioni i Avokatit të Popullit përshëndet miratimin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rolin e institucioneve të Avokatit të Popullit.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nënvizon rolin kyç të institucionit të Avokatit të Popullit dhe institucioneve ndërmjetëse në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit. Ajo riafirmon rëndësinë e pavarësisë dhe autonomisë së këtyre institucioneve për të garantuar funksionimin e tyre të paanshëm dhe efektiv.
Dokumenti thekson kontributin e këtyre institucioneve në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, veçanërisht Objektivit 16, që lidhet me krijimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Ai inkurajon shtetet anëtare të krijojnë ose forcojnë këto institucione duke siguruar kuadër kushtetues dhe ligjor, financim të mjaftueshëm dhe mbrojtje kundër presioneve politike dhe ndërhyrjeve.
Gjithashtu, rezoluta thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të praktikave më të mira midis institucioneve të Avokatit të Popullit, si dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile për të promovuar transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin në administratën publike.
Përmes kësaj rezolute, Kombet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen e tyre për institucionet e Avokatit të Popullit si mekanizma thelbësorë për të garantuar të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e drejtë.