25 Gusht 2024

Mesazh I Avokatit Të Popullit Në Ditën Portokalli Të Muajit Gusht


Mesazh i Avokatit të Popullit në Ditën Portokalli të muajit Gusht

Çdo datë 25 e muajit është PORTOKALLI

 

Tre gra humbën jetën nga dhuna në familje gjatë këtij muaji në Shqipëri, duke e çuar në pesë numrin e grave të vrara këtë vit. Këto ngjarje tronditëse tregojnë se femicidi mbetet një problem shqetësues që kërkon vëmendje të menjëhershme dhe të vazhdueshme.

 

Sot, në kuadër të Ditës Portokalli, që na kujton rëndësinë e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, Avokati i Popullit shpreh dhimbjen e thellë për jetët e humbura dhe kërkon një angazhim më të madh të strukturave përgjegjëse për identifikimin e rasteve të dhunës dhe reagimin e shpejtë ndaj tyre, në mënyrë që të mbrohen viktimat potenciale dhe të parandalohet përsëritja e këtyre tragjedive.

 

Ngjarjet e fundit janë një thirrje për veprim, duke theksuar nevojën për përqendrim më të madh në çështjet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, për të siguruar që të gjitha gratë dhe vajzat të mund të jetojnë të sigurta dhe të mbrojtura.

 

Avokati i Popullit, në përputhje me Rezolutën 70/176 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në bashkëpunim me UN Women Albania, ka ngritur Observatorin për Femicidet dhe po mbledh e analizon të dhëna mbi rastet e vrasjes së grave dhe vajzave në Shqipëri, me qëllim identifikimin dhe adresimin e problematikave, si dhe nxitjen e politikave më efektive që do të kontribuojnë në forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe parandalues.