Mbahet Aktiviteti, "Gra Të Lira Nga Dhuna"
Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësuar nga Znj. Vilma Shurdha, Komisionere e Seksionit të Përgjithshëm, ishte pjesë e diskutimeve si paneliste, në dëgjesën me anëtarët/anëtaret e Rrjetit Parlamentar Evropian “Gra të lira nga dhuna” dhe Komisonit për Barazi dhe Mos-diskriminimit të Këshillit të Evropës.
Gjatë diskutimit të saj, si pjesë e panelit: Dëgjesë- Prezantim i kuadrit rajonal për barazinë dhe diskriminimin”, komisionerja theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në hartimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në mbrojtje të të drejtave të grave, kryesisht për mbrojtjen nga dhuna me të gjitha format e saj, ndërsa qeveria ka miratur strategji dhe politika, të cilat parashikojnë marrjen e masave për fuqizimin e grave nga të gjitha grupet, eleminimin e diskriminimit dhe dhunës.
Lidhur me të drejtat e grave dhe vajzave, Avokati i Popullit vazhdon të konstatojë se ende gratë dhe vajzat, ndeshen me paragjykime dhe pengesa për të realizuar de facto të drejtat e tyre, dhe sidomos më e vështirë kjo rezulton për grupe të grave me përkatësi të shumëfishtë si: gratë me aftësi të kufizura, gratë rome/egjyptiane, ato që janë pjesë e komunitetit LBT, etj.
Mbi 5000 gra në vit denoncojnë dhunën në familje apo jashtë saj dhe çështje të mprehta, që kanë ende nevojë të adresohen, janë dhuna me format e saj si: femicidi, dhuna seksuale dhe dhuna online, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mirëqenien dhe shëndetit të grave dhe vajzave dhe sidomos shëndetit mendor.
Avokati i Popullit po vijon punën në kuadër të Observatorit për Femicidet, duke marrë në analizë të gjtha vrasjet e grave/vajzave, për të vijuar me përgatitjen e një raporti të veçantë për këtë qëllim.
Duke patur në vëmendje edhe rekomandimet e dhëna nga Komiteti “Për eleminimin e diskriminimit ndaj grave” dhe Grupit të Ekspertëve të Konventës së Stambollit GREVIO, janë adresuar rekomandime të rëndësishme lidhur me:
-Ndryshime në Kodin Penal për parashikimin e femicidit si vepër penale,
-Ndryshime në aktet nënligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, lidhur me dhunën seksuale.
-Për përmirësimin dhe shtimin e shërbimeve emergjente dhe të specializuara për gratë dhe vajzat e dhunuara, të shtrira në gjithë vendin duke respektuar standarded kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Në emër të Avokatit të Popullit, dua të shpreh angazhimin institucional, në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut, pjesë e të cilave janë dhe të drejtat e grave” – theksoi në përmbyllje të fjalës komisionerja Shurdha.
Çështjet e avancimit të axhendës së barazisë gjinore dhe sfidave me të cilat ndeshen sot gratë dhe vajzat ishin në fokus të Konferencës Ndërkombëtare, që po mbahet për herë të parë, gjatë dy ditëve në Tiranë, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Europës, Rrjeti i Grave “Gra të lira nga dhuna”, të Parlamentit Evropian, me pjesmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve më të larta të shtetit, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavaruara.