8 Shkurt 2019

Kodi I Drejtësisë Penale Për Të Mitur


KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi nevojën e respektimit nga ana e raportuesve në media të ndryshme shqiptare, të parimeve të mbrojtjes së jetës private të të miturve konform Kodit të drejtësisë penale për të miturit.

"LIGJ Nr. 37/2017 : KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR

Neni 1

Objekti

1. Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur përmban rregullime të posaçme lidhur me përgjegjësinë penale të të miturve, rregulla procedurale lidhur me hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër që përfshin një të mitur në konflikt me ligjin, si dhe një të mitur viktimë dhe/ose dëshmitar të veprës penale.

2. Ky Kod përmban rregullime edhe për të rinjtë nga grupmosha 18 deri në 21 vjeç, sipas parashikimeve në nene të veçanta të tij.

..........

Neni 21

Mbrojtja e jetës private të të miturit

1. E drejta e të miturit për jetë private respektohet plotësisht në çdo fazë të drejtësisë penale për të mitur duke bërë kujdes që të shmanget dëmtimi i tij.

2. Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.

3. Të dhënat mbi dënimet e mëparshme të të miturit nuk bëhen publike.

4. Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

5. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat personale për një vepër penale të kryer nën moshën 18 vjeç mund të identifikohen ose të publikohen vetëm me pëlqimin e tij.

6. Përpunimi i të dhënave të të miturve realizohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

7. Shkelja e pikës 4, të këtij neni, përbën vepër penale, sipas parashikimeve të Kodit Penal."